14:51 / E Mërkurë, 29 Gusht 2018 / indeksADMonline

Një muaj paraburgim për kroatin që dyshohet se goditi me veturë prizrenasen

Burri me inicialet F.T nga Qepini, Republika e Kroacisë, do të qëndrojë në paraburgim për një muaj si i dyshuar për veprën ‘Rrezikim i trafikut publik’
Gjykata Themelore e Prizrenit, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit.

Sipas prokurorisë me datën 26.08.2018 rreth orës 12.15 minuta, në Prizren në rrugën “Ismail Kryeziu” i pandehuri duke drejtuar automjetin e tij nga lagja Arbana në drejtim të Prizrenit nga pakujdesia ka rrezikuar pjesëmarrësit në komunikacion duke i shkaktuar vdekjen B.M.

“Në atë mënyrë që derisa e njëjta ishte duke e kaluar rrugën nga ana e majtë në të djathtë, në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, i pandehuri duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet dhe rrethanat e rrugës, e godet të dëmtuarën me iniciale B.M., me pjesën e përparme të veturës, me ç ‘rast nga goditjet e marra e dëmtuara ndërron jetë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Koha e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit me datë 26.08.2018 nga ora 12:20 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 26.09.2018.