16:30 / E Martë, 24 Korrik 2018

Një muaj paraburgim për personin që sulmoi prokurorin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm ndaj personit zyrtar.

E.G i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, nga dt.23.07.2018 deri me dt. 23.08.2018.

“Rreth orës 11:00, në Pallatin e Drejtësisë, saktësisht në korridorin e objektit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i pandehuri E.G pas përfundimit të një seance gjyqësore ku i pranishëm kishte qenë edhe Prokurori i Shtetit i dëmtuari B.I , ka vepruar në atë mënyrë duke iu drejtuar Prokurorit  me zë të lartë, iu kishte afruar të njëjtit dhe e kishte sulmuar  duke e kapur nga krahu, pastaj kishte tentuar edhe ta shtyjë në drejtim të hyrjes së korridorit,  atëherë  i dëmtuari  kishte kërkuar nga i dyshuari që t’ia lëshonte dorën, por ky i fundit me një agresivitet të vazhdueshëm në prezencën e zyrtarëve të sigurimit kishte vazhduar ta ofendonte dhe ta kërcënonte të dëmtuarin B.I.”, thuhet në arsyetimin e Gjyaktës për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjykata ka konstatuar se kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.G është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës, për sigurimin e pranisë së tij në procedurën penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.