11:24 / E Hënë, 28 Shtator 2020

Një muaj paraburgim pronarit të kazinosë, në Karaqevë

Gjykata Themelore në Gjilan ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit D. H.    

Ekziston dyshimi i bazuar se prej muajit shtator 2019 e deri më 18 shtator 2020, në lokalin “Automate Club”, e cila ndodhej në zonën kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, përkatësisht në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror e në kundërshtim me Ligjin e lojërave të fatit 06/L-155, në mënyrë  të kundërligjshme ka organizuar lojërat e fatit, ashtu që ekzistojnë rrethana të mjaftueshme për të treguar se nëse i pandehuri gjendet në liri, ai do ta përsërisë veprën penale apo mund të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet të ketë kryer veprën penale “organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, ndërsa masat e tjera alternative, do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​