10:49 / E Diele, 05 Gusht 2018 / indeksADMonline

Njësitë Speciale të Policisë në Veri? MPB sqaron situatën!

Mëngjesin e sotëm  në disa media është raportuar se njësitet elite të njohur si “FIT” të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në bazën “Belvedere”, që gjendet në fshatin Frashër të Mitrovicës, mirëpo, kjo nuk po del të jetë e vërtetë.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Selami Shkodra ka thënë se këto raportime janë vetëm spekulime.

Sipas tij, asnjë pjesëtar i njësive speciale të policisë së Kosovës nuk ka lëvizur në veri të vendit.

Megjithatë, ai siguron qytetarët se situata është e qetë dhe stabile.

“Situata është krejt normale. Asnjë polic i njësive speciale nuk ka lëvizur në veri të vendit, me përjashtim të atyre që janë permanent në rajonin e Mitrovicës. Situata është e qetë dhe nuk ka as një llojë indicie deri në këtë kohë që të ketë ndonjë destabilizim apo trazira të ndryshme “, ka thënë Shkodra për Indeksonline.

Ndryshe, në disa  media u raportua se forcat e njësisë elite të njohur si “FIT” dhe forca tjera speciale nga Prishtina ishin futur brenda bazës “Belvedere” në veri të vendit./Indeksonline/