15:00 / E Premte, 30 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Shkodra: Kosova ka shënuar progres në uljen e numrit të armëve të vogla dhe të lehta

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra bashkë me një delegacion të MPB-së ka marr pjesë në takimin e 10-te rajonal të Komisioneve për Kontrollin e Armëve të Vogla e të Lehta që u mbajt në Budva të Malit të Zi.

Shkodra në fjalimin e tij ka thënë se Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për politikat nacionale dhe kooperimin rajonal e ndërkombëtar në rritjen e nivelit të sigurisë dhe mënjanimin e rreziqeve që vijnë si rezultat e trafikimit, posedimit e përdorimit të armëve të vogla e të lehta.

Më poshtë fjalimi i Shkodrës:

Institucionet e Republikës së Kosovës kanë bërë reformat e nevojshme legjislative dhe kanë krijuar dokumentet bazë në politikën për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta. Dokument bazë në këtë politikë është strategjia kombëtare dhe planin e veprimit për armët e vogla dhe të lehta 2017 – 2021, si vazhdimësi e strategjisë paraprake për kontrollin dhe mbledhjen e armëve të vogla dhe të lehta 2013-2016.

Në kudër të përmbushjes së objektivave strategjike është hartuar legjislacioni i nevojshëm primar dhe sekondar, ligji për legalizimin e armëve dhe dorëzimin e armëve të vogla dhe të lehta, municioneve dhe materialeve shpërthyese i miratuar në Mars të 2017-së, si dhe udhëzimi administrativë i nevojshëm në implementim të ligjit. Kosova gjithashtu është pjesë e objektivave rajonale dhe udhërrëfyesit për gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme për posedimin e paligjshëm, keqpërdorimin dhe trafikimin e armëve të vogla dhe të lehta në Ballkanin perëndimor, i paraparë deri në vitin 2025.

Për të përmbushur objektivat strategjike dhe për të krijuar një politikë mirë të informuar me të dhëna, ministria e punëve të brendshme ka krijuar një bazë të dhënave ku regjistrohen armët e vogla dhe lehta.

Kosova, gjithashtu është pjesë e iniciativave rajonale dhe ndërkombëtare në këtë drejtim, ku përmes partneritetit ndërkombëtar me SEESAC, UNDP kemi arritur me sukses të implementojm planin e veprimit dhe përmbushjen e objektivave strategjike, për të krijuar një ambient të sigurt dhe të qetë për qytetarët.

Në përgjithësi, Kosova shënuar progres në këtë drejtim, më uljen e madhe të numrit të armëve të vogla dhe të lehta krahasuar me vitet paraprake. Megjithatë, kjo çështje vazhdon të mbetet sfidë për tërë rajonin, që ka nevojë të adresohet me prioritet. Shteti ynë ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për politikat nacionale dhe kooperimin rajonal e ndërkombëtar në rritjen e nivelit të sigurisë dhe mënjanimin e rreziqeve që vijnë si rezultat e trafikimit, posedimit e përdorimit të armëve të vogla e të lehta. /Indeksonline/