12:21 / E Shtunë, 16 Janar 2021 / Blerim

Nuk udhëtoi drejt Spanjës se ishte me Covid-19 | Futbollisti i Prishtinës falënderon shokët për gjestin e bërë në palestër

Mbrëmë skuadra e Prishtinës u mposhtë nga Barcelona, duel ky që u zhvillua në kuadër të rundit të 1/16 së finales në Ligën e Kampionëve në futsall.

Kryeqytetasit, humbën me rezultatin final në 9:2, por që nuk u dorëzuan për asnjë çast deri në fund të ndeshjes, shkruan IndeksOnline

Në këtë takim, klubi i Prishtinës udhëtoi pa futbollistin e tyre, Elton Maxharraj, pasi ishte i infektuar me Covid-19, dhe nuk i’u lejua që të udhëtonte drejtë Spanjës.

Kështu, IndeksOnline ka biseduar me Maxharraj për të shikuar se si është gjendja e tij shëndetësore dhe se si e priti ai gjestin e bashkëlojtarëve, që treguan fanellën e tij në palestrën, ‘Palau Blaugrana’.

Ai tha se po ndihet mirë dhe se është në përfundim të betejës me Covid-19.

“Me Covid-19 jam afër përfundimit, pasi që jam në karantinë, kam pasur disa vështirësi, por duke i’u përmbajtur rregullave do e kaloj shumë shpejtë dhe do t’i bashkangjitem klubit”, tha fillimisht Maxharraj.

Futbollisti i Prishtinës tregoi se sa ishte e vështirë që ta shikonte ekipin nga shtëpia.

“Ka qenë shumë e vështirë për mua për ta ndjekur ndeshjen nga shtëpia, pasi dihet se Barcelona është kampion i futsallit dhe do të ishte një ndjenjë e veçantë po të isha edhe unë në fushë, por rregullat ishin ashtu dhe duhet respektuar vendimin”.

Maxharraj, për fund falënderon bashkëlojtarët për gjestin e bërë ndaj tij, po ashtu edhe tifozët për mbështetjen.

“E falënderoj shumë ekipin, tifozët dhe bashkëlojtarët për gjestin e bërë për mua, ka qenë një ndjenjë e veçantë kur e kam shikuar atë gjest sportiv ndaj meje. Por, mos të harrojmë se kanë pasur një paraqitje të fuqishme dhe ishte vërtetë një promovim për shtetin tonë e që i jep shumë perspektivë futsallit në Kosovë”, përfundoi ai.