13:27 / E Hënë, 30 Nëntor 2020 / OSH

Nuk votohen projektligjet, s’ka kuorum

Edhe në seancën e sotme plenare, nuk ka kuorum për të votuar projektligjet, të cilat janë në rend të ditës.

Për momentin, vetëm 45 deputetë janë të pranishëm në seancë.

Gjatë seancës së sotme, deputetët e opozitës vazhduan ta kritikonin Qeverinë e Hotit për menaxhimin e pandemisë.

Ata kërkuan rimbursim të qytetarëve të infektuar me Covid-19 për shkak të shpenzimeve që kanë në marrjen e terapive.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se do të shqyrtojnë kapacitetet e tyre dhe do të vendosin nëse mund ta bëjnë rimbursimin e qytetarëve.

Zemaj tha se të gjithë pacientët të shtruar në institucionet publike shëndetësore, kanë terapitë e nevojshme të siguruara nga ministria që ai e udhëheq.

Ndërsa, edhe në këtë seancë Qeveria dhe deputetët e shumicës i bënë thirrje opozitës për ta votuar Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.