75 Mall Live Search
10:32 / E Diele, 09 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Numër i madh i bizneseve, që falimentojnë çdo vit në Kosovë

Nga janari deri në tetor të këtij vitit në Kosovë kanë falimentuar një mijë e 389 biznese. Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak i bie që ky numër është rritur, ku për 10 muaj, në vitin 2017 kishin falimentuar një mijë e 302 biznese.

Këto të dhëna i ka bërë publike Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për media e kësaj Ministrie.

Por nga MTI nuk është sqaruar se cilat kanë qenë arsyet që kanë ndikuar në falimentimin e këtyre bizneseve.

Megjithatë, sipas të dhënave nga MTI, rritje ka shënuar edhe regjistrimi i bizneseve të reja për 10 mujorin e vitit 2018, ku janë regjistruar gjithsej 8 mijë e 433 biznese. Ndërkohë që një vit me parë për periudhën e njëjtë ishin regjistruar 8 mijë e 93 biznese.    

Por numri prej mbi një  mijë i bizneseve që kanë falimentuar, është shqetësuese për anëtarin e bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Hamdi Malushaj.

Ai thotë, se arsyeja kryesore pse bizneset nuk mund të mbijetojnë në Kosovë është klima e të bërit biznes.

Sipas Malushajt, në vend nuk ka respektim të ligjeve, që ai thotë se rregullativa ligjore është një nga shkaktarët që ndikojnë që bizneset të falimentojnë.

Ai ka thënë se në Kosovë nuk ka klimë të favorshme për të bërë biznes.

Përveç Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës që çdo tre muaj publikon raporte rreth numrit të bizneseve të regjistruara. Por, nuk ka raporte rreth numrit të bizneseve të cilat falimentojnë.

Ditë më parë, ASK ka publikuar raportin për tremujorin e tretë të vitit 2018, ku për periudhë kohore janë regjistruar 2 mijë e 212 ndërmarrje.

ASK ka bërë të ditura edhe aktivitetet ekonomike që janë regjistruar gjatë këtij tre mujori,

Kurse, sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave, në raport thuhet se prin komuna e Prishtinës, e pasuar nga ajo e Ferizajt, pastaj Prizreni, Gjilani, dhe Mitrovica.

Ndërkaq, në tre mujorin e dytë të këtij viti, sipas ASK-së janë regjistruar gjithsej 2 mijë e 636 ndërmarrje, ku sipas raportit vërehet rritje pre 17.8 përqind krahasuar me tre mujorin e njëjtë të vitit 2017.

Në tremujorin e parë të vitit 2018 janë regjistruar 2 mijë e 556 ndërmarrje, ku sipas raportit të ASK-së krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017 kishte rënie prej 10.3 përqind të ndërmarrjeve të regjistruara