Numri dy i MFSK-së qartëson se çfarë do të ndodhë më tutje me ushtrinë e Kosovës
Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës me shumicë votash sot votuan pro shqyrtimit të parë të Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe njëkohësisht shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës.
Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani ka treguar për “Indeksonline” hapat e mëtutjeshme rreth formësimit të ushtrisë kosovare.
Sipas tij, thellimi i marrëdhënieve në mbrojtje me SHBA-në është kyç dhe do të vazhdojnë më tutje. “Kemi ende punë. Për këtë kemi plan të saktë dhe të bashkërenduar”, pohon numri dy i FSK-së.
Më tej, Ramadani theksoi se pret që leximi i dytë i tyre të ndodhë në fund të këtij viti.
“Në aspektin ligjor, procedurat parlamentare do të vazhdojnë në format të rregullta. Komisioni Parlamentar do të bëjë punën e vet, sikurse edhe deputetët tjerë. Leximi i dytë i projekt-ligjeve pres të ndodh në javët e fundit të vitit. Pastaj, zbatimi i Planit të Transicionit nënkupton riorganizim të Ministrisë dhe të Forcës, ngritje të kapaciteteve, doktrinën dhe rregullave, trajnimi, edukimi, sistemi i armatimit dhe pajisjet”, është shprehur Ramadani për “Indeksonline”.
Po ashtu, zv/ministri i FSK-së thekson se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për komunikimin e brendshëm, komunikimin me jashtë dhe promovimin e gjithëpërfshirjes.
“Do të vazhdojmë Kampanjën Informuese në shtete të ndryshme të NATO-s dhe shtetet kontribuuese. Do të vazhdojmë punën në draftimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare dhe Strategjisë së Mbrojtjes. Më tutje, do të fillojnë gradualisht përgatitjet për fillimin e zbatimit të Planit të Tranzicionit. Thellimi i bashkëpunimit me SHBA dhe NATO është çështje kyçe. Këtu përgjegjësia jonë është maksimale”, ka përfunduar ai.
Rikujtojmë, se Shqyrtimi i parë i Projektligjit për FSK-në është arritur të votohet me 98 vota pro, asnjë kundër apo abstenim. Të pranishëm në sallë të legjislativit përgjatë seancës kanë qenë edhe deputetët e opozitës./Indeksonline/