12:26 / E Mërkurë, 15 Nëntor 2023 / L K

OKB e shqetësuar për situatën në Gaza: Jemi të tmerruar, spitalet nuk janë zona lufte

Zëvendës sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinator për ndihmë emergjente, Martin Griffiths tha se është i tmerruar nga bastisja ushtarake në spitalin Al-Shifa në Gaza.

Griffiths në një postim në platformën e mediave sociale X lidhur me ushtarët izraelitë që bastisën spitalin Al-Shifa theksoi se mbrojtja e të porsalindurve, pacientëve, personelit mjekësor dhe të gjithë civilëve duhet të ketë përparësi mbi të gjitha shqetësimet e tjera.

“Jam i tmerruar nga lajmi për bastisje ushtarake në spitalin Al-Shifa. Spitalet nuk janë zona lufte”, tha ai.

Sot në mëngjes, ushtria izraelite bastisi spitalin Al-Shifa, institucioni më i madh shëndetësor në rajon ku ndodhen mijëra pacientë dhe civilë të zhvendosur në Gaza.