75 Mall Live Search
23:13 / E Premte, 26 Qershor 2026 / MSH1

OKB: Evakuohen 115 anije nga Ngushtica e Hormuzit

Agjencia detare e OKB-së bëri të ditur se që nga e marta janë evakuuar rreth 115 anije dhe 2,500 detarë nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa operacionet vijojnë mes shqetësimeve për sigurinë në zonë.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), Arsenio Dominguez, tha se evakuimet janë kryer gjatë tre ditëve e gjysmë të fundit, por theksoi se shifrat nuk janë ende përfundimtare, pasi po verifikohen edhe tranzitet e fundit.

Dominguez njoftoi se përpjekjet për evakuimin e detarëve të mbetur janë ndërprerë përkohësisht të enjten pas një sulmi ndaj një anijeje në Gjirin e Omanit.

Ai theksoi se procesi do të rifillojë sapo të ketë garanci se anijet nuk do të jenë objektiv sulmesh dhe se lundrimi tregtar do të vazhdojë në mënyrë të sigurt.

Sipas tij, Irani ka dërguar mesazhe paralajmëruese se përdorimi i një “korridori të paautorizuar” mund të sjellë “sanksione ligjore”, pa sqaruar natyrën e këtyre masave.

Organizata Ndërkombëtare Detare kishte njoftuar të enjten pezullimin e planit të evakuimit pas sulmit ndaj një anijeje në Gjirin e Omanit, duke theksuar se siguria e detarëve mbetet përparësia kryesore.