23:02 / E Martë, 24 Korrik 2018 / indeksADMonline

Opozita e përçarë kërkon shkarkimin e qeverisë

Deputeti i Parisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu pati reaguar kundrejt akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje ku theksohej se ky subjekt i ri po ka më shumë ngjashmëri me partitë në pushtet se dallime.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Sejdiu ka ftuar partitë politike që të inicojnë mocion për rrëzimin e qeverisë, duke u premtuar atyre 12 nënshkrimet e subjektit që ai përfaqëson. Madje njëra nga kërkesat ka qenë që edhe të votojnë që mandatari i bisedimeve të mos jetë Presidenti Hashim Thaçi.

Por këtë ide të deputetit Sejdiu, e ka konsideruar si “nevojë për protagonizëm” edhe kolegu i tij deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Sipas tij, PSD-ja duhet që të mos e ndihmojnë mazhorancën qeveritare si tani në Kuvend, duke i dhënë edhe një këshill këtij subjekti.

“Nevoja për pak protagonizem po e bënë shpeshherë joserioze PSD-ne. Nuk ka nevoje t’i drejtohet as LV-se e as subjekteve tjera opozitare PSD-ja por ata vete duhet që të mos e ndihmojnë mazhorancën qeveritare siç po bëjnë tani në Kuvend. Nëse nuk e kanë mësuar mirë politikën, së paku le ta mësojnë matematikën”, është shprehur Selimi.

Kjo qeveri sipas Selimit duhet të rrëzohet në mënyrë që të shpëtojë nga të këqijat që po vinë, duke theksuar negociatat me Serbinë.

“Sa më parë e sa me shpejtë që të bie kjo qeveri, Kosovës do t’i hapej mundësia të shpëtojë nga të këqijat që po i vijnë, sidomos ato në fushën e negociatave me Serbinë. Bashkëveprimi i Thaçi-Haradinaj po del të jetë shumë i dëmshëm përballë sfidave qe i ka Kosova…përveç kaq Qeveria Haradinaj është Qeveri e pakicës që shumicë i ka veç skandalet. Prandaj, në një situatë të tillë vetëm zgjedhjet e menjëhershme janë zgjidhje”, ka përfunduar Selimi.

Kurse, nismat për rrëzimin e qeverisë i mbështet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtë e ka theksuar edhe deputeti i këtij subjekti, Fidan Rekaliu në një prononcim për Indeksonline.

Sipas tij, çdo nismë për rrëzimin e qeverisë e që është në përputhje me qëndrimet e LDK-së është e mirëseardhur.

“Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj për nevojën e shkuarjes në zgjedhje që vendi të shpëtoj nga një qeverisje e keqe dhe degraduese për qytetarët e vendit. Çdo nismë e çfarëdo lloji që bëhet për ta rrezuar këtë qeveri e që është në përputhje me qëndrimet e LDK është e mirëseardhur, por këto duhet të diskutohen me organet e partisë që të bëhet koordinimi i duhur tek partitë e spektrit opozitar e që të kenë efekt dhe qëndrueshmëri në hapat e mëtutjeshëm për veprimet politike që merren në të mirë të qytetareve”, ka deklaruar Rekaliu.

Ai edhe njëherë ka theksuar se kjo qeveri është e dëmshme dhe degraduese për qytetarët, e po ashtu po i bënë dëm shtetndërtimit dhe forcimin e rendit dhe ligjit.

“LDK-ja në të gjitha qëndrimet e saj e ka thënë qartë që kjo qeverisje është e dëmshme dhe degraduese për qytetarët dhe është imediate largimi i këtij mentaliteti qeverisës që nuk i bënë mirë shtetendertimit dhe forcimit të rendit e ligjit, ne jemi dëshmitar që kjo qeveri punon vetëm për interesat e ngushta partiake e të një grupi të vogël njerëzish e në anën tjetër qytetarët tashmë janë të harruar nga ta”, ka përfunduar ai./Indeksonline/