21:52 / E Enjte, 23 Gusht 2018 / indeksADMonline

Opozita në Podujevë reagon për mbylljen e një bibloteke në Llap

Asamblistja e Vetëvendosjes në Podujevë, Dora Hasani ka treguar se një bibliotekë në këtë komunë është mbyllur.

Ajo është shprehur se kjo bibliotekë është e vetmja që funksionet në Llap, mirëpo që është mbyllur nga komuna për shkak se rruga ku gjendej ajo do të zgjerohet.

“Librat e kësaj biblioteke zhvendosen (deponohen) diku tjetër, sepse objekti ku ajo gjendej u dashka të rrënohet për ta zgjeruar një rrugë. Zgjerimi i një rruge (apo rrugice) paska më shumë rëndësi se sa një vatër e kulturës dhe arsimit. Prandaj duhet sakrifikuar atë (sipas konjukturave pushtetore); duhet sakrifikuar mundësinë e vetme të qindra lexueseve që kanë për ta gjetur e shfrytëzuar librin, për hire të një rruge. Për hire të një mentaliteti mediokër”, ka shkruar ajo, transmeton Indeksonline.

Shkrimi i plotë i saj:

REAGIM ❗

Relevanca pushtetore në Llap mbylli bibliotekën e qytetit, të vetmen bibliotekë që funksiononte ende në këtë trevë. Pas goditjes së rrjetit të bibliotekave që u bëri pushtuesi serb në vitet `90-ta, kjo është goditja përfundimtare e këtij segmenti, por këtë here nga pushteti i “lirisë” dhe i “demokracisë”.
Në vitet `80-ta, nën regjimin pushtues jugosllav, rrjeti i bibliotekave shtrihej në çdo Bashkësi Lokale në Llap. Vitet e `90-ta e rrënuan këtë strukturë, por nuk arritën ta shuajnë përfundimisht. Vitet e “lirisë” dhe pushteti “ynë”e tkurrën akoma më shumë këtë veprimtari, duke i shuar edhe ato biblioteka që kishin mbetur në pak fshatra. Ndërsa tani u arrit kulminacioni, duke mbyllur bibliotekën e vetme në Llap, atë të qytetit. Librat e kësaj biblioteke zhvendosen (deponohen) diku tjetër,sepse objekti ku ajo gjendej u dashka të rrënohet për ta zgjëruar një rrugë. Zgjërimi i një rruge (apo rrugice) paska më shumë rëndësi se sa një vatër e kultures dhe arsimit. Prandaj duhet sakrifikuar atë (sipas konjukturave pushtetore); duhet sakrifikuar mundësinë e vetme të qindra lexuesëve që kanë për ta gjetur e shfrytëzuar librin, për hire të një rruge. Për hire të një mentaliteti mediokër. Aty ku mbyllet një vatër kulture, mbillet injorancë. Tashmë ky vend shquhet për përbuzjen e kultures, shquhet për “kultivimin” e injorancës, shquhet për mohimin dhe mënjanimin e potencialit intelektual.
Mbyllet biblioteka, kanoset shkatërrimi i mijëra librave, ndërsa strukturat institucionale krekosen se po zgjërojnë një gjysmë rruge. Ndërkaq objektet e reja të komunës qëndrojnë në pritje të renovimit. Kësaj radhe viktimë e asfaltomanisë është biblioteka e vetme ekzistuese në Llap, është libri si burim i dijes dhe intelektualitetit…