13:53 / E Premte, 07 Tetor 2022 / B O

Orët po ecin, pagat s’po dalin, Hekuran Murati jep edhe një njoftim për mësimdhënësit në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka nisur në orët e paradites së të premtes një seancë të re plenare, në të cilën po mbahet një interpelancë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili duke u përgjigjur në pyetjet e kritikat e deputetëve opozitar, e ka sqaruar edhe një herë çështjen e pagave për mësimdhënësit.

Gjatë interpelancës së tij lidhur me mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve, Murati ka thënë se duhet të sigurohen që organizatat buxhetore e respektojnë ligjin.

Murati, ka thënë se askush s’mund të paguhet pa punuar.

“Nuk mund të paguhet dikush pa punuar, kjo është çështja dhe mbi këtë bazë ne duhet të sigurohemi se organizatat buxhetore e respektojnë ligjin. Ka tendencë që paraja publike të shpenzohet pa qenë në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi”, ka thënë Murati.

Ai është thirrur për këtë sërish në nenin 18 të Ligjit për Greva.

“Në rastin e ngritur këtu për interpelancë bëhet fjalë për pagesën e punëtorëve apo stafit që janë apo kanë qenë në grevë, ligji për grevat, neni 18 paragrafi 1 e thekson qartë se përgjatë kohës sa personat ose punëmarrësit janë në grevë marrëdhënia e punës pra obligimet nga kontrata e punës që ka të bëjë detyrimi për të punuar por edhe obligimi për të paguar pra pezullohen, me fjalë të tjera nuk mund të paguhet dikush pa punuar, pra kjo është çështja dhe mbi këtë bazë normalisht që ne duhet të kërkojmë dhe sigurohemi që organizatat buxhetore e respektojnë ligjin, këtë e kemi bërë dhe këtë do ta bëjmë çdo herë sa herë që shohim apo vihemi në dijeni që ka bazë për dyshime se nuk përfillen ligjet dhe ka tendencë që paraja publike të shpenzohet pa qenë në përputhje me të gjitha ligjet në fuqi”, ka thënë Murati.

Ndërkohë edhe sot në mëngjes Ministria e Financave Punës dhe Transfereve (MFPT) ka njoftuar që marrë parasysh miratimin e kalendarit të ri mësimor nga MASHTI që parasheh zëvendësimin e orëve të muajit shtator, ka kërkuar edhe njëherë nga Organizatat Buxhetore që të rikonfirmojnë listat e pagave, duke ua rikujtuar obligimet ligjore që kanë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

Sipas ministrisë, organizatat buxhetore duhet të vendosin nëse do të procedojnë pagat si paradhënie për orët e shtatorit që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri mësimor të miratuar nga MASHTI, përndryshe duhet të veprojnë sipas nenit 18 të Ligjit për Greva.

“Pas përfundimit të procedurave dhe rikonfirmimit të listave nga OB-të që paradhënia procedohet në përputhje me kalendarin e ri mësimor, Thesari do të procedojë sot me ekzekutim të pagave”, thuhet nga ministria e Financave.

E gjithë kjo, duke pasur parasysh që mësimdhënësit në Kosovë nuk janë më në grevë, se mësimi i nxënësve tani në të gjitha shkollat e nivelet po zhvillohet dhe se shumica e mësimdhënësve nuk e kanë preferuar dhe nuk janë pajtuar me grevën, dhe se MASHTI ka miratuar kalendarin e ri mësimor që parasheh mbajtjen e orëve të Shtatorit, duke siguruar kështu edhe ligjshmërinë e shpenzimit të parasë publike.

MFPT mbetet e përkushtuar për mirëqenien e qytetarëve dhe financimin e prioriteteve të shtetit, mirëpo gjithmonë duke u siguruar se paraja publike shpenzohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.