10:59 / E Mërkurë, 20 Mars 2024 / S Z

Osmani në Javën e Gruas: Sukses të garantuar kemi vetëm kur vajzat e gratë janë prezente

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në konferencën e javës së gruas e cila po mbahet në Prishtinë deklaroi se të gjitha shoqëritë kanë bërë përparim vetëm duke fuqizuar gjithsecilin zë, shkruan teve1.info.

E para e shtetit, theksoi se dita ditës po kuptojmë se mund të kemi sukses të garantuar vetëm kur vajzat dhe gratë janë prezente.

“Përgjatë historisë së njerëzimit shoqëritë kanë bërë përparim vetëm atëherë kur kanë përfaqësuar diversitetin dhe kanë fuqizuar gjithsecilin zë. Për të mirën e përbashkët kudo që ka udhëheqje gjithpërfshirëse aty ka përparim, ka mirëqenie dhe demokracia lulzëon. Dita ditës ne kuptojmë se mund të kemi sukses të garantuar qoftë në udhëheqjen e shtetit apo në organizimin në komunitet, atëherë kur vajzat dhe gratë janë prezente. Atëherë kur ato përfshihen, atëherë kur ato kanë rol aktiv, atëherë kur atyre iu dëgjohet zëri dhe atëherë kur edhe ato marrin vendime”, tha Osmani.

Sipas saj, kur gratë e vajzat përjashtohen nga proceset vendimmarrëse kufizohet aftësia kolektive e gjithë shoqërisë.

“Kur i përjashtojmë vajzat dhe gratë nga proceset e vendimmarrjes, kur margjinalizojmë grupet e caktuara duke u bazuar në racë, gjini, fe e karakteristika të tjera, ne e kufizojmë aftësinë tonë kolektive, e kufizojmë shoqërinë tonë në tërësi. Pra kufizojmë aftësitë tona të përbashkëta”, tha tutje Osmani.