07:55 / E Martë, 06 Qershor 2023 / AR

Osmani pret sot në takim Lajçakun dhe Escobarin

Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, si dhe i dërguari i i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, sot do të priten në takim edhe nga presidentja Vjosa Osmani.

“Në orën 09:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák, si dhe të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-ve, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidencës.

Emisarët Miroslav Lajçak e Gabriel Escobar mbrëmë i ka takuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se në këtë takim ka shprehur gatishmërinë “e parezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët në shtensionimin e gjendjes dhe normalizimin e marrëdhënieve”. Sipas tij, rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistët dhe grupet kriminale serbe ndaj organeve të sigurisë dhe gazetarëve.

I dërguari i posaçëm i BE-së dhe ai i SHBA-së, Gabriel Escobar, i kanë paraqitur kryeministrit Albin Kurti propozimin me tri elemente. I pari është deeskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.