OVL deklarohet pas dështimit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale
Edhe pas dështimit të iniciativës së 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën Speciale gjatë natës së mbrëmshme, Organizata e Veteranëve të Luftës e ka përshëndetur një veprim të tillë duke thënë se kjo gjykatë është e pa drejtë dhe e njëanshme.
Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, e ka përshëndetur këtë veprim të deputetëve i cili për Indeksonline tha se pavarësisht që është vonë, është një akt i guximshëm.
“Unë i përshëndes të gjithë ata deputetë që kanë nis nënshkrimet kundër Ligjit për Specialen, për ndryshimin dhe tërheqjen e ligjit krejt. Është pak i vonuar por sado kudo deputetet e Kosovës e kanë bërë një akt të guximshëm dhe një akt të mirë që duhet të ndalohet e keqja për Kosovën” ka thënë Gucati.
Ndonëse, kur është nisur peticioni i Shoqatës së Veteranëve ka pasur për qëllim ndryshimin e Ligjit për Specialen, këta të fundit kanë ndërruar mendje dhe kanë kërkuar shfuqizimin e plotë të ligjit.
Gucati thotë se këtë e kanë bërë për shkak se është një ligj i njëanshëm që nuk gjykon krimet e serbëve në Kosovë.
“Është e vërtetë që na në fillim kem kërkuar veç ndryshim të ligjit,por ne kur e kemi dërguar një letër të gjitha grupeve parlamentare dhe kryetarit të parlamentit, ne kem dërguar letrën që ligji mu shfuqizua krejt tash. Se është një ligj i njëanshëm, janë shkelje të njeriut dhe është jashtë ter normave” është shprehur Gucati për Indeksonline.
Ndërsa, paralajmërimin e ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës se vendi mund të izolohet nëse shfuqizohet ligji, Gucati thotë se më këtë arsyetim gjithmonë ata janë kërcënuar nga ta.
“Ambasadat neve na kanë kërcënuar gjithmonë. Cili ambasador kish pranuar këtë ligj në vendin e vet, amerikan, angleze, francezet, italianët etj? Asnjë ambasadë” ka përfunduar ai.
Ndryshe, gjatë ditës së premte u bënë shumë përpejke në Kuvendin e Kosovës që të caktohet një seancë ku do të procedohej dhe votohej propozimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, mirëpo dështoj pas në mbledhje të kryesisë nuk pati kuorum.
Ambasadori amerikan Delawie dhe ai britanik O’Connell e kritikuan ashpër këtë nismë të deputetëve, duke thënë se kjo do ta shkëputë Kosovën nga Bashkimi Evropian.
Madje, Delawie e quajti këtë si një “ngulje e thikës prapa shpinës” për ndërkombëtarët dhe vet shtetin e Kosovës./Indeksonline/L.TH