14:31 / E Hënë, 03 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Pa votimin paraprak të PE, liberalizimi i vizave nuk mund të hyjë në agjendën e BE

Instituti EPIK përmes një komunikate për media sqaron se duke marr për bazë Traktatin për Funksionimin e BE-së, neni 294, çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së më 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të Parlamentit Evropian.

Neni 294 specifikon se në leximin e parë PE do të miratojë qëndrimin e tij me shumicë të thjeshtë dhe do t’ia komunikojë atë Këshillit. Më pas, Këshilli miraton qëndrimin e tij me shumicën e dyfishtë dhe akti legjislativ hyn në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Duke marrë për bazë Traktatin për Funksionimin e BE-së, neni 294, Instituti EPIK konfirmon se çështja e liberalizimit të vizave nuk mund të hyjë në agjendë të Këshillit të BE-së me 6-7 dhjetor, pa një votim paraprak të PE, gjë që është e pamundur të ndodh gjatë kësaj jave.

Sa i përket Këshillit të BE-së me 28 nëntor është zhvilluar takimi i ambasadorëve të vendeve anëtare në Bruksel – COREPER II, ku është dakorduar agjenda e të gjitha takimeve të mbetura për vitin 2018 nën kryesimin e Presidencës austriake, para dorëzimit të detyrës së saj te pasuesja e radhës, Rumania.

Ambasadorët janë dakorduar se Këshilli i BE-së do të zhvillojë deri në fund të vitit 18 takime në këto 10 përbërje të ministrave të BE-së: transport, çështje ekonomike dhe financiare, telekomunikimi, punësimi, drejtësia dhe çështje të brendshme, punët e jashtme, çështje të përgjithshme, bujqësia, energjia dhe mjedisi.

Duke marrë për bazë agjendën e publikuar në faqen zyrtare të Këshillit, Instituti EPIK konfirmon se në asnjë prej 10 përbërjeve të Këshillit të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave nuk është paraparë të jetë në agjendë të takimeve.

Në këtë kontekst, duke pasur parasysh rëndësinë publike të çështjes së liberalizimit të vizave, Instituti EPIK fton të gjithë përfaqësues të institucioneve që të janë të matur dhe të saktë në aspektin procedural të vendimmarrjes në procesin e liberalizimit të vizave.