13:49 / E Mërkurë, 27 Mars 2019 / indeksADMonline

Pabarazia po helmon Europën më shumë se çdo gjë tjetër

Nga Jurgen Habermas/

Si ka mundur të bëhet kaq akute, në harkun kohor të dhjetë viteve, kontradikta mes aderimit në Europë (anëtarësime që vazhdojnë të kërkohen dhe të përsëriten) dhe kundërshtimit ndaj veprimeve bashkëpunuese dhe integrimit evropian? Dhe si arrin bashkimi monetar europian të qëndrojë ende në këmbë, kur në të gjitha vendet po rritet rezistenca “anti-Bruksel” e frymëzuar nga populistët e djathtë dhe kur në zemër në Europës, në një prej vendeve themeluese të komunitetit ekonomik, kjo rezistencë ka sjellë një aleancë pragmatike anti-europiane mes populistëve të djathtë dhe të majtë?

Temat e emigrimit dhe të politikave të njohjes së azilit politik, që nga shtatori i vitit 2015 dominojnë diskutimet mediatike në Gjermani dhe tërheqin në mënyrë të veçantë vëmendjen e opinionit publik. Ato propozohen si përgjigje imediate ndaj pyetjes se çfarë i frymëzon veprimet e anti-europianëve. Por nëse e marrim në konsideratë Europën në gjithë kompleksitetin e saj, e sigurisht edhe zonën ekonomike në gjithë kompleksitetin e saj, rritja e emigrimit nuk mund të paraqesë shpjegimin parësor për rritjen e populizmit të djathë. Kjo sepse mutacioni i opinionin publik është shkaktuar shumë më herët, që në kundërpërgjigjet e politikave kontroverse për të tejkaluar krizën financiare të fillim vitit 2008 dhe më pas krizën e borxhit publik të vitit 2010.

Zërat kritikë që dëgjohen më së shumti në skenën ndërkombëtare ekonomike, pra ato të ideve anglosaksone kundër masave shtrënguese të Schäuble dhe Merkel, kanë marrë shumë pak vëmendje nga redaksitë e mediave më të mëdha ekonomike. Saktësisht ashtu si redaksitë politike, kanë reshtur së informuari mbi dëmet që politikat e kursimit kanë prodhuar në aspektet sociale dhe njerëzore jo vetëm në Greqi dhe në Portugali, por edhe më gjerë. Në disa rajone, norma e papunësisë është ende pak më poshtë se 20%, ndërsa papunësia e të rinjve është thuajse dyfishi. Është një skandal, se si në ndërtesën ende të papërfunduar të Bashkimit Europian, është lejuar që diçka e tillë të penetrojë kaq fort në strukturën shoqërore të çdo kombi, e miratuar pa asnjë legjitimitet, të paktën sipas standardeve tona demokratike. Ky gjemb është ende i mbërthyer pas mishit dhe vetëdijes së popujve europianë.

Është pikërisht eurozona, ashtu siç ne e njohim, që rrezikon të dëmtojë gjithë projektin europian. Ne, në veçanti ne banorët e një Gjermanie që po rritet ekonomikisht, e largojmë mendjen nga fakti i thjeshtë se euro u vendos me pritshmërinë dhe njëkohësisht me premtimin politik për një harmonizim të të gjitha vendeve, por në fakt ka ndodhur saktësisht e kundërta. Ne po e heqim shikimin nga arsyeja reale e bashkëpunimit mes shteteve, gjë që është më urgjente se kurrë, pra po i fshihemi faktit se asnjë bashkim monetar nuk mund t’i mbijetojë diferencave të vazhdueshme mes bilanceve ekonomike të shteteve të veçanta, gjë e cila sjell edhe divergjenca në kushtet e jetës.

Përtej faktit që sot, përballë një modernizimi kapitalist shumë të përshpejtuar, na duhet të përballemi edhe me pafuqinë e shkaktuar nga ndryshimet shoqërore, unë nuk besoj se ndjenjat anti-europiane të krijuara nga populizmat e djathtë e të majtë, kanë derivuar nga nacionalizmi. Ndjenjat anti-europiane, në mënyrë krejt të pavarur nga tema e emigracionit, vijnë nga bindja se bashkimi monetar nuk mund të jetë avantazh për të gjithë anëtarët e unionit. Jugu i Europës kundër Veriut, ose edhe e kundërta: “humbësit” ndihen sikur po trajtohen padrejtësisht, “fituesit” i refuzojnë akuzat e tilla. Siç edhe është parë, sistemi i hekurt i rregullave për shtetet anëtare të unionit monetar, favorizon vendet më të forta ekonomikisht, pa ofruar në këmbim asnjë hapësirë për më shumë veprime të përbashkëta dhe fleksibilitet.

E vetmja mënyrë sipas së cilës Bashkimi Europian mund të fitojë aftësinë e aksionit politik dhe të marrë mbështetjen e qytetarëve të tij, është që përmes krijimit në nivel europian të resurseve për programe demokratike dhe legjitime, të riparojë divergjencat ekonomike dhe sociale mes vendeve anëtare.

Është interesant fakti se si kjo alternativë mes objektivit për të stabilizuar valutën dhe nga ana tjetër, për të reduktuar çekuilibrimin ekonomik, nuk është politizuar ende. Nuk ekziston ende një e majtë pro-europiane që të mbështesë ndërtimin e një Bashkimi Europian të aftë për të reaguar politikisht në shkallë globale dhe që t’i  japë përparësi objektivave më konkretë, si për shembull luftës ndaj evazionit fiskal, vënien e një takse mbi transaksionet financiare dhe rregullimin më të ashpër të tregjeve financiare. Vetëm kështu socialdemokratët do të mund të diferencoheshin nga liberalizmi i shpërlarë.

Nëse në fund, do të më pyesnin për një gjykim të përgjithshëm mbi situatën e përditshme jo si qytetar por si një vëzhgues akademik, më duhet të them se për momentin nuk shoh sinjale inkurajuese. Nëse hipoteza ime për një ndërlidhje mes divergjencave ekonomike të shteteve anëtare dhe avancimit të populizmit të djathtë, institucionet e demokracisë kushtetuese janë të destinuara për të pësuar dëme të tjera./ Jurgen Habermas është sociolog dhe filozof gjerman. Konsiderohet një prej akademikëve me më shumë influencë sot në botë, për teoritë e tij në racionalitetin e komunikimit, epistemologjisë dhe teorive sociale. Përkthyer nga Erjon Uka, Opinion.al