11:52 / E Martë, 22 Maj 2018 / indeksADMonline

Pacientët e QKUK-së ankohen për mungesë të terapive për trajtimin e Hepatitit

Pacientët e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës shpesh ndodh të ankohen për mungesë të barnave brenda këtij institucioni.

Një pacient sot është ankuar për mungesën e terapive për trajtimin e hepatitit A,B dhe C në Kliniken Infektive.

Indeksonline ka kontaktuar edhe në numrin zyrtarë të kësaj klinike, ku ka konfirmuar se ka mungesë të terapive për trajtimin e kësaj sëmundje.

Brenda Ministrisë së Shëndetësisë thonë që Klinika Infektive është furnizuar me sasi të mjaftueshme të terapive për Hepatitin C.

“Hepatiti C trajtohet me produktet Peginterferon Alfa 2a 180mcg dhe Ribavirin caps/tbl 200mg. FSSH posedon kontratë valide për produktin Peginterferon Alfa 2a, ndërsa produkti Ribavirin 200mg ofrohet si donacion. Që të dy artikujt gjinden në Kliniken Infektive në sasi të mjaftueshme” kanë thënë zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë.

Ndonëse për trajtimin e Hapatitit B, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë që Klinika Infektive është furnizuar së fundi me 8 Mars 2018 dhe atë në një sasi të mjaftueshme për 2 muaj. Por që sipas tyre tashmë FSSH për momentin nuk posedon kontrate valide për këtë produkt.

“Klinika Infektive është furnizuar së fundi me 8 Mars 2018 dhe atë në sasi përafërsisht 2 mujore. FSSH për momentin nuk posedon kontrate valide për produktin Tenofovire. FSSH  ka bërë kërkesë për inicim të procedurave të kontraktimit në kohë, dhe nga D. i Prokurimit kemi informatën qe produkti është në fazën e animimit” kanë përfunduar ata.

Ndryshe, Drejtori i Klinikës Infektive brenda QKUK-së, Hamdi Ramadani ka thënë se Klinika Infektive, ka terapi për trajtim te hepatiteve virale dhe se kohëve te fundit është përmirësuar dukshëm kjo pritje.

“Sa i përket terapisë për trajtimin e hepatiteve virale, ju njoftoj se Klinika Infektive, ka terapi për trajtim te hepatiteve virale. Kohëve te fundit është përmirësuar dukshëm kjo pritje. Po ashtu kemi ekip profesionale të përgatitur mirë për këta të sëmurë” ka thënë Ramadani

Rikujtojmë se në Klinikën Infektive ka një numër të konsiderueshëm të të sëmurëve me Hepatite kronike B dhe C, ku gjithsej janë 189 raste që kanë nevojë për terapi./Indeksonline/