22:46 / E Hënë, 24 Shtator 2018 / indeksADMonline

Pacolli: Kosova dhe Kiribati shumë shpejt vendosin marrëdhënie diplomatike

Ministri i Punëve të Jashtëm dhe Zëvendëskryeministri i vendit, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova dhe Kiribati shumë shpejt do të vendosin marrëdhënie diplomatike dhe do të thellojnë bashkëpunimin në mes dy vendeve.

Pacolli këtë deklaratë e ka thënë pas takimit që ka pasur me Presidentin e Kiribatit, Taneti Mamau, në margjina të takimeve të shumta bilaterale, që po zhvillohen me rastin e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, shkruan Indeksonline.

“Zhvillova një takim miqësor me Presidentin e Kiribatit, Dr. Taneti Mamau. Kiribati ka njohur herët Kosovën. Shumë shpejt do të lidhen edhe marrëdhëniet diplomatike, ndërsa bashkëpunimi dypalësh do të thellohet”, ka thënë numri dy i Qeverisë së Kosovës Pacolli./Indeksonline/