19:24 / E Mërkurë, 05 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Pacolli në Gambi, merr përkrahje të palëkundur në të gjitha proceset

Në kuadër të mini-turit në kontinentin Afrikan dhe me qëllimin e avancimit tëmarrëdhënieve me vendet Afrikane, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli është duke qëndruar në Gambi.

Me këtë rast, Ministri Pacolli ka takuar përfaqësuesit më të lartë shtetëror, respektivisht Presidentin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi. Në nismë të kësaj vizite, Ministri Pacolli takoi Presidentin e këtij shteti, Adama Barrow, i cili i konfirmoi përkrahjen e tij për Republikën e Kosovës, në rrugën e përpjekjeve të saj për thellim të marrëdhënieve me këtë vend, si dhe me vendet tjera të kontinentit Afrikan.

Presidenti Barrow po ashtu premtoi përkrahje të palëkundur të vendit të tij në të gjitha proceset e afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Në takim me homologun e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Gambisë, Mamadou Tangara, i cili i kishte komunikuar njohjen Republikës së Kosovës nga Gambia vite më parë, Pacolli dhe Tangara u pajtuan që të identifikojnë fushat e bashkëpunimit konkret mes dy vendeve. Si rezultat i komunikimit intensiv që i ka paraprirë kësaj vizite, Pacolli dhe Tangara nënshkruan marrëveshjen, që do të thellojë marrëdhëniet politike dhe diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Gambisë.

E njëjta marrëveshje do të intensifikojë dhe thellojë lidhjet mes dy popujve tanë. Gjatë kësaj vizite, Gambia ri-konfirmoi përkushtimin që ta mbështesë Kosovën në të gjitha qëllimet e saj diplomatike, dhe në këtë kontekst Ministri Tangara premtoi që së shpejti do ta vizitojë Kosovën. Ky minitur diplomatik ka për qëllim edhe të informojë vendet Afrikane përkitazi me zhvillimet në rajonin Ballkanik, dhe veçanërisht t’i shërbejë komunikimit konstruktiv përkundër lajmeve të rreme, të cilat disa akterë të papërgjegjshëm i projektojnë me qëllim dëmtimin e marrëdhënieve mes vendeve të pavarura dhe sovrane.