22:13 / E Premte, 14 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Padrejtësia ndaj “Rilindjes”, historia e përbuzjes, trishtimit

Assesi, në asnjë mënyrë s’bën të nxirren jashtë loje pensionistët e shumtë të ish – gazetës “Rilindja”, të cilët kërkojnë 20%-shin.

Ligjet e UNMIK-ut diskriminuese. Qeveria “Kurti” ta merr parasysh zgjidhjen e problemit të 227 punonjësve.

——————————————

Në vend të festës për përvjetorin e 75-të, punonjësit  e ish – gazetës “Rilindja” protestuan në pallatin që dikur ishte i tyre, të premtën.

Gazetarët, lektorët, korrektorët dhe punëtorët e tjerë ngritën zërin e protestës në  tavanin e Pallatit e Shtypit, katin e 18-të, në Prishtinë.

Hisen e tyre e kërkojnë 227 punonjës nga anë të ndryshme të Kosovës.

Kërkohet hisja që u takon për pallatin, oborrin e tij – 5 hektarë, pasuria e paluejtshme e kësaj gazete në Tiranë si dhe pagat e mbetura.

Drejtori i gazetës, pa gazetë, Zeqir Bekolli njoftoi se së shpejti do t’ia lidhin kryet punës me zyrtarët e Qeverisë “Kurti” dhe AKP-në.

Prend Buzhala tërhoqi vërejtjen se ajo çfarë ndodhi me këtë gazetë është histori e përbuzjes dhe trishtimit.

Nuk ka popull në botë që s’e ka gazetën tradicionale. E kanë anglezët, kroatët e të tjerët. Nuk e kemi ne…

Pallatin tonë e pushtoi Qeveria, ajo është përgjegjëse, shtoi Buzhala.

Gazetarët Agim Muhaxheri, Daut Shehu, Feim Tahirsylaj, Curr Mazrekaj, Çerkin Ibishi e të tjerët shprehën brengën që të mos ndodhin budallallëqet, të nxirren nga loja pensionistët, tu mohohet e drejta në 20 për qindshin… Kjo do të ishte një non sens, vrasje e të drejtave të atyre që derdhën mundin në këtë gazetë.

Do të ishte e pakuptimtë që shumica e punëtorëve, më të vjetër se 60 vjet – pensionistët të mbesin me gishta në gojë…

Të zhgënjyerit pëshpëritën se ligjet e UNMIK-ut, i nxjerrin nga loja pensionistët.

Drejtësia jonë s’bën ti aplikojë ligjet diskriminuese…

Ish- punëtorët e “Rilindjes” me sytë e tyre panë shëmtinë, zhdukjen e makinave në shtypshkronjën e tyre.

Për shëmtinë flasin fotografitë.

Hallin e punonjësve të gazetës “Rilindja” ta merr seriozisht Qeveria “Kurti”.

Të pranishmit ia dhanë bekimit drejtorit të kësaj gazete, Zeqir Bekollit – të angazhohet në përmbushjen e të drejtave të punëtorëve si ndërmjetësues i AKP e Qeverisë së Kosovës. /Indeksonline/