75 Mall Live Search
17:20 / E Shtunë, 20 Prill 2024 / MSH

Pahor paralajmëron plan të ri për dialogun, nëse e merr detyrën e emisarit

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur dhe se nëse do ta zëvendësonte Miroslav Lajçakun në pozitën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, do ta ofrojë planin e tij për vazhdimin e procesit. 

Pahor ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur për shkak të mungesës së besimit. 

“Do të ofroj planin tim. Dialogu është në ngërç, ka mungesë besimi dhe ne duhet ta gjejmë mënyrën për të ecur përpara me besim më të madh”, ka thënë ai. 

Sipas tij, pa përparim në dialog, as Kosova e as Serbia nuk mund të arrijnë asgjë për një të ardhme më të sigurt. Pahor ka theksuar se është i interesuar për postin e të emisarit special të BE-së.

Kurse, emisari special i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se nëse nuk ka progres në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është e vështirë të pritet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia janë në rrugën e tyre evropiane dhe e dinë se cilat janë obligimet e tyre.