20:30 / E Mërkurë, 15 Prill 2020 / indeksADMonline

Pako e studjuar me infuzion konkret!

Shkruan: HALIT KRASNIQI

Pakoja e përgatitur për seancën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës, për stimulim në këtë situatë për të gjithë sektorët ekonomik dhe duke u fokusuar në zëra të caktuar buxhetor, është studimi më i plotë i kësaj gjendjeje që po kalon vendi ynë. Gjithsesi do të shërbej si infuzion konkret, për subjekte juridike dhe për të punësuar që nuk kanë realizuar të ardhura. Gjithashtu për të gjithë ata me kontribute të posaçme e me angazhime specifike në profesione të caktuara në këtë situatë të jashtëzakonshme.

Pandemia ka ndryshuar përkohësisht jetën tonë. Duke filluar nga planifikimet e jetës familjare, të veprimtarive kulturore, sportive, arsimore dhe veprimtarive ekonomike me të gjitha degët e industrisë. Aktualisht janë goditur të gjithë sektorët e  bazës së ekonomisë, dhe veçanërisht angazhimi i shumë sektorëve në prodhim. Kjo gjendje konkrete që ka goditur për herë të parë vendin tonë dhe gjithë botën, kërkon edhe qasje per masa konkrete.

Rrjedhimisht është atakuar edhe fuqia prodhuese, e cila është një nga bazat kryesore të zhvillimit ekonomik. Kjo gjendje ka ndikime zinxhirore dhe do të shënoj një rënie të përgjithshme në ekonominë e vendit, si dhe do të pësoj goditje shporta familjare. Rrjedhimisht mirëqenia qytetare. Sado që mjetet e prodhimit nuk janë atakuar si në raste lufte, megjithatë marrëdhëniet në prodhim do të pësojnë domosdoshmërisht ndryshime.

Janë faktorë të rinj në këto zhvillime konkrete të stagnimit që e imponojnë këtë gjendje. Punëdhënësit duhet të pajtohen me profit më të vogël, të cilët duhet të jenë doemos pjesë e pakove të mbështetjeve shtetërore dhe punëmarrësit që kanë abstenuar në punët e tyre për arsye objektive, duhet të kenë kujdesin, gjithashtu nga shteti për energji të reja. Në këto situata të rralla, rëndom, duhet të veprojë shteti me pako stimuluese, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për motive sociale e psikologjike.

Në hartimin e këtyre pakove stimuluese duhet të ketë qasje serioze të ekspertëve si në rasti konkret të kësaj pakoje. Janë mjaft simptomatike studimet që do t‘i propozohen Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e ftuar me propozime konkrete. Meqenëse sektorët ekonomikë janë arkëtuesit më të mëdhenj të buxhetit shtetëror, në këto situata administrata e shtetit duhet të tregoj kujdes të veçantë me pako infuzioni për disa arsye për sektorë të posaçëm.

Përmbledhtazi, janë sektorët ekonomik që krijojnë të ardhura për jetën, përmes vendeve të punës që kanë dhe përmes kontributeve tatimore që mbushin arkën e shtetit. Duke ruajtur vendet e punës, zvogëlojnë potencialet shpërthyese në aspektin social. Në këtë rast ata mbajnë edhe nivelin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe motivimin e tyre në situata dekurajuese nga fatkeqësitë natyrore.

Duke i mbajtur aktive mjetet e prodhimit dhe duke u kujdesur për harmoninë e marrëdhënieve në prodhim, kontributi i tyre përveç në rritën e mirëqenies së të punësuarve, ndikon edhe në rritën e buxhetit të shtetit, i cili nga veprimtaritë prodhuese aktive përfiton dhe është gjithnjë në progresion. Pa një pako të tillë këto relacione nuk mund të ruhën. Ruajtja e tyre është domosdoshmëri në këtë gjendje që po e përjeton vendi ynë.

Pakoja stimuluese është një rrjedhje e pa parashikuar nga buxheti i shtetit, por me këtë impuls rifreskohën marrëdhëniet në prodhim dhe natyrisht se ky infuzion ndikon në fuqinë prodhuese dhe me këtë zhvillim, ripërtërirën mundësitë për të kontribuar ndaj obligimeve tatimore. Kjo situatë konkrete imponon kujdesin dhe vëmendjën e veçantë ndaj mirëqenies së qytetarëve dhe rishikim të prioriteteve në planifikimet për shpërndarjen e buxhetit të shtetit. Në këtë gjendje që po kalojmë, doemos duhet të pasojnë studime e analiza të gjendjes konkrete para afateve të parapara për rishikimet buxhetore.