23:07 / E Premte, 12 Tetor 2018 / indeksADMonline

Pakujdesia e një shoferi, i mori jetën maturantit nga Istogu

Shpesh një veprim jo i duhur, për shkak të pakujdesisë dhe vëmendjes mund të përfundojë me pasoja edhe fatale.

Sot ora 17:20 doli të jetë minut i zi për maturantin nga Istogu, Diamant Osmanaj, i cili teksa po kalonte rrugën, u godit për vdekje nga një veturë, shkruan Indeksonline.

I riu që ende s’kishte mbushur 18 vjeç nuk arriti t’u shpëtonte plagëve të marra, çka edhe ndërroi jetë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë.

Këtë e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Pejës, ku ka dhënë edhe detaje me rastin e rëndë.

“Ky aksident ka ndodh sot rreth orës 17:20 në lagjen “Osmanaj” të Gurakocit. Viktima është një këmbësor me inicialet D.O. i lindur në vitin 2001 në Gurakoc. I dyshimti me inicialet F.B. i lindur në vitin 1985 ka qenë duke drejtuar automjetin e tipit “Passat” me targa vendore. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak të mosrespektimit të rregullave të komunikacionit. Mjekët e kanë konstatuar vdekjen e viktimës në spital”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra.

Vdekjen e Diamantit e kanë përjetuar rëndë familjarët dhe shoqëria e tij. Ata me dhimbje kanë kumtuar lajmin e zi, ndërsa 17 vjeçarin do ta kujtojnë përherë si një person të urtë e të dashur.

Ndryshe varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 16:00 në varrezat e lagjes ‘Osmanaj’ në Gurrakoc./Indeksonline/