20:14 / E Enjte, 16 Prill 2020 / indeksADMonline

Pamje/Flet doktori nga Suhareka, që iu infektuan dy fëmijët e tij me virus

Numri i të infektuarve në vendin tonë nga COVID19 sipas të dhënave të fundit nga IKSHPK ka shkuar në 423, ndërsa 11 persona kanë vdekur si pasojë e këtij virusi që ka pushtuar gjithë botën.

Një nga komunat e prekura, është edhe ajo e Suharekës, madje dje një 69 vjeçar nga fshati Semetishtë, ishte edhe viktima e 9-të në Kosovë.

Si pasojë e kontaktit që pati me viktimën, mbesa e tij që është infermiere ka bartur virusin tek familja e saj, bëhet fjalë për familjen e Nazmi Kolgecit nga fshati Vraniq, Specialist i Kirurgjisë Torakale në QKUK.

Indeksonline ka qëndruar në këtë fshat, ndërsa ka biseduar me doktorin Kolgeci, i cili ka treguar se nga familja e tij, pozitiv kanë rezultuar vetëm dy djemtë e tij.

Dr. Nazmi Kolgeci

“Për momentin mirë janë, dy fëmijët e mi janë me koronavirus. Momentalisht gjendja e tyre është stabile.

Virusi siç duket ka ardhë nga dajtë e tyre, për shkak se bashkëshortja ime është infermiere dhe i ka dhënë injeksione në shtëpi axhës së vet dhe ai është diagnostifiku i pari me koronavirus dhe më pas janë infektuar dhe fëmijët të cilët kanë qenë me të.

Dhe axha i gruas ka vdekur dje. Rasti në Semtishtë. Me sa di unë i njëjti nuk ka pasur probleme të tjera shëndetësore. Diçka ka përdor për tension, por jo diçka shqetësuese.

Ne e gjithë familja e kemi bërë testin, vetëm dy djemtë kanë rezultu me pozitiv, ndërsa unë, gruaja dhe vajza nuk e kemi.

Dy djemtë janë diagnostifiku ditën e hënë, përndryshe qysh javën e kaluar kanë dyshu, për shkak se kanë pasur disa simptoma.

Është interesant se të dy djemtë janë pozitiv, por s’i kanë shfaq simptomat e njëjta. Djali i madh ka pas pak më tepër diçka, por i vogeli ka qenë thuajse rast simptomatik.

Familja e Dr. Kolgecit

Ata kanë pasur simptoma, temperaturë, ngapak diare, por s’kanë pasur temperaturë të lartë.

Doktori thotë se dyshon se edhe familjarë të tjerë të afërm, si pasojë e kontakteve që kanë pasur me dy djemtë e tij, do ta kenë marrë virusin, e që janë në pritje të rezultateve.

“Unë besoj që edhe të familjarët e tjerë ka të dyshuar për shkak se fëmijët e mi dhe të vëllait tim kanë qenë bashkë gjatë gjithë kohës. Është bërë edhe testi i tyre, besoj që ka me pas edhe prej tyre pozitiv.

Janë marrë diku 13 mostra për testim, ndërsa nga familja ime besoj që 3 o 4 veta kanë me dal pozitiv.

Për shkak se kanë simptoma të ngjashme si i ka dhe djali im.

Në momentin që kam kuptu që diçka nuk është në rregull me familjen time unë i kam njoftu dhe që atëherë nuk kam shkuar në klinikë”, ka thënë ai.

Fshati Vraniq

Ndërsa ai në fund ka edhe një apel për të gjithë qytetarët.

“Unë mendoj që puna është serioze, për shkak se kjo pandemi ka marrë shume jetë njerëzish, mjafton me pa vetëm Italinë si janë atje, pavarësisht se moshat e reja po duken se e kalojnë pa simptoma, por moshat e vjetra po e paguajnë më shumë”./Indeksonline

Fshati Vraniq