20:52 / E Diele, 04 Qershor 2023 / AR

Pamje/ Forcim i sigurisë, ushtarët turq arrijnë në Kosovë

Ministria e Mbrojtjes së Turqisë ka njoftuar për nisjen e një numri të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

Tashmë forcat paqeruajtëse turke ndodhen në Kosovë, teksa Indeksonline ka siguruar pamje të arritjes së tyre në Kazermën “Sulltan Murat” në Prizren.

NATO e ka përshendetur vendosjen e këtyre forcave në Kosovë, duke e parë si forcim të sigurisë.

Kujtojmë se serbët lokal në veri të komunave veriore: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Situata ka eskaluar më 29 maj kur pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it, u plagosën rreth 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë./Indeksonline/