PANDEMIA POLITIKE MË E DËMSHME SE COVID-19!
Kosova po përballet me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat
Nga Mehmet PRISHTINA
Kosova po kalon
nëpër dy kriza: Atë shëndetësore, me pasoja për shëndetin dhe jetën e njerëzve
dhe politike – me pasoja për ardhmërinë e vendit. Përderisa kriza e parë është
e imponuar nga jashtë, si një deus ex
machina, e dyta është motivuar dhe zhvilluar brenda. Përballja me këto dy
kriza, e vë në sprovë çdo qeveri, kurse në rastin e Kosovës, sprova është e
shumëfisht.
Jo vetëm për faktin se aktualisht kemi një qeveri në detyrë, por edhe për shkak
të kompleksitetit të skenës politike kosovare, e cila është me mjaft me kundërthënie
e armiqësi të brendshme, këto kriza në të shumtën e rasteve gjejnë pikëtakime,
duke e ushqyer njëra tjetrën me çështje që e bëjnë jetën tonë edhe më të
padurueshme.
Pandemia globale në gjithë botën po trajtohet me mjetet adekuate që i kanë në
dispozicion shtetet dhe qeveritë e ndryshme. Në Europë dhe në rajon tash më
janë bërë publike strategjitë për rikthimin e gjendjes normale, duke
paralajmëruar hapje graduale të bizneseve e veprimtarive të cilat janë të
domosdoshme për jetën e qytetarëve, por pa rrezikuar shëndetin e tyre.
Për rrjedhojë edhe BE ka hartuar planin për hapjen graduale, pas izolimit më
shumë se një mujor. Plani parashikon tri faza. Faza e pare ka filluar më 14
prill me hapjen e bibliotekave dhe kioskave. Do të vazhdohet më 18 prill me
rihapjen e ndërmarrjeve bujqësore dhe industriale. Më 4 maj ka rinisë lëvizja e njerëzve, por me maskë dhe
duke mbajtur distancë sigurie me njëri-tjetrin. Më 4 maj gjithashtu janë hapur
dyqanet e mëdha të tekstileve, mobileve dhe veshjeve por jo qendrat tregtare. Më
11 maj do të hapen gjykatat dhe zyrat profesionale. Baret, restorantet dhe
aktivitetet e tjera të hotelerisë do të hapen më 18 maj, por klientët duhet të
respektojnë distancën mes njëri-tjetrit. Më 25 maj mund të rifillojnë punën
parukeritë dhe berberë, por me maskë dhe me një klient të vetëm. Më 31 maj do
të rifillojnë kampionatet e futbollit dhe sporteve të tjera kolektive, ndërsa
më 8 qershor rihapen qendrat sportive, vetëm për sporte individuale. Në shtator
të këtij viti shkollat e mesme do të rihapen me turne dhe me mësime në
internet. Ende nuk është vendosur për çerdhet dhe shkollat fillore. Në Dhjetor
parashikohet hapja e kinemave dhe teatrove. Në mars 2021 do të hapen diskotekat
dhe stadiumet, ndërsa më 31 mars të vitit të ardhshëm parashikohet rihapja e
kufijve dhe përfundimi i të gjitha kufizimeve të deritanishme.
Ky është një plan që mund të ndryshojë në varësi të situatës në konsultim me
ekspertët, duke parë ecurinë dhe mbarëvajtjen e gjendjes shëndetësore në terren.
Edhe Kosova do të ndjek ritmin e shteteve evropiane sa i përket rikthimit të
gjendjes normale, kështu që, siç është paralajmëruar, heqja e kufizimeve do ta
bëhet në tri faza. E para nga 4 maji deri në 18 maj, që nënkupton shtimin e
kohëzgjatjes së lëvizjes nga 1.5 deri në 3 orë, hapja e ndërtimtarisë, zyrat e
konsulencës, bizneset e vogla. Faza e dytë do të filloj nga 18 maji deri në 1
qershor, ndërkohë që masat e reja relaksuese do të varen nga rekomandimet e
IKSHPK-së. Nëse nuk ka rritje të rasteve të të infektuarve me Covid-19, atëherë
do të ecet përpara, nëse ka infektime atëherë sigurisht institucionet
shëndetësore do të jenë të detyruar ta rikthejnë gjendjen e mëparshme.
Pra, siç
po shihet kriza shëndetësore po arrin të mbahet nën kontroll, ndonëse në
situata të tilla emergjente ka edhe njerëz të pakënaqur, por edhe të tjerë që
mbi këtë situatë duan të përfitojnë ndonjë poen të lirë politik. Aktualisht,
madje kjo e fundit po ndodhë pas vdekjes së një 26 vjeçari nga Gjilani, i cili
ka ngjallur reagime të shumta ndaj kryeministrit në detyrë Kurti dhe ministrit
në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia. Përgjegjës sipas partive tjera politike
shkaktar i vdekjes së 26 vjeçarit janë Kurti dhe Vitia, kështu duke i kërkuar
edhe dorëheqje. Duke parë këtë fluks të madh të akuzave ministri i Shëndetësisë
Arben Vitia ka deklaruar që edhe e ka menduar dorëheqjen.
Por, a është koha që energjitë politike të shpenzohen në një rast fatkeq si ky,
i cili ende nuk është ndriçuar dhe hetuar deri në fund dhe përgjegjësia
eventuale do të kufizohet mbi ata persona apo institucione që kanë bërë
lëshime, por jo edhe krerët qeveritarë e institucional.
Kur jemi te ky rast është për t’u admiruar apeli i kryetarit të Gjilanit, Lutfi
Hazirit, i cili kërkoi që kjo tragjedi të mos politizohet dhe me të drejtë edhe
ai kërkoi hetim dhe përgjegjësi.
Roli i opozitës është të korrigjojë veprimet e pushtetit dhe madje jo
rastësisht është thënë se pushteti moral i një populli është opozita. Mirëpo jo
gjithmonë opozita duhet të luaj në kartën e korrigjuesit kur situatat nuk janë
normale dhe në kushte të tilla kur as parlamenti nuk funksionon, atëherë çfarë
efekti do të kenë sjelljet e tilla të opozitës,kur dihet mirëfilli se në shumë
shtet demokratike të botës opozita i ka ulë armët dhe është bashkuar me
pushtetin për t’i luftuar sfidat me të cilat ballafaqohen.
Sigurisht që në kohët më të mira që do të pasojnë do të ketë hapësirë edhe për
kacafytje partiake dhe vetëm në kushte normale ka sens gara politike.
Jehona e grindjeve politike të Kosovës ka mbërri edhe në
dyert e Europës dhe zyrtarët e ndyrshëm në Bruksel dhe Strazburg deri më tani
kanë shprehur disa here shqetësimet e tyre mbi përmasat e kësaj situate kaotike
politkke në Koasovë. Raportuesi i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës
(APKE-PACE dhe deputeti gjerman i PE-së bie fjala, Peter Beyer, ka kërkuar
përgjegjësi politike dhe sundim të ligjit nga Kosova në këtë kohë të pandemisë
dhe krizës politike që po mbretëron në vend. Aka thënë se populli i Kosovës është
goditur rëndë nga kriza aktuale me koronavirusin, sikurse edhe shumë vende
tjera nëpër botë, ndërkohë që ka mirëpritur koordinimet e kohëve të fundit
ndërkomunitare dhe ndërkufitare, si dhe solidaritetin e treguar mes
profesionistëve kryesorë shëndetësorë dhe zyrtarëve, përtej dallimeve etnike
dhe politike.
Por politikani gjerman nuk ka lënë pa përmendur edhe situatën politike në
Kosovë. Sipas tij Kosova gjendet edhe në mesin e një krize politike e
kushtetuese që nga rrëzimi i qeverisë me votë mosbesimi në fund të marsit,
pikërisht në kohën kur kriza me Covid -19 po shpërfaqej.
“Në këtë situatë dramatike është qenësore për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të saj të sigurohen kontrollet dhe pushtetet (balancimi i pushteteve). Kjo vlen në veçanti për një Kuvend plotësisht funksional dhe për një sistem të pavarur kushtetues gjyqësor”, tha Beyer.
Nëse në ditët e
javët në vazhdim do të gdhijë një ditë e
bukur pa pandemi, çka mund të thuhet për ekonominë e cila ka përjetuar goditjen
më të madhe që prej krizës globale financiare të vitit 2008. Parashikimet ekspertëve thonë se ekonomia e Kosovës do të
humbë deri në 500 milionë euro si pasojë e pandemisë me Covid-19, ndërkohë që pas
përfundimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese, rimëkëmbja ekonomike
do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë.
Kosova për fat të mirë ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me
BPV-në gjë që mundëson fleksibilitet për sa i përket pakos së rimëkëmbjes, por
pasojat e krizës shëndetësore mbetet të shihen në një të ardhme jo të largët,
pasi të jetë skenuar gjendja e përgjithshme në të gjithë sektorët ekonomikë.
Krejt në fund: Kosova po përballet
me dy kriza, por kriza më dëshpëruese është ajo e cila vjen nga politika e
papërgjegjshme, e cila ka dështuar të jetë në nivelin që e kërkojnë rrethanat. Po
del që pandemia politike të jetë më e dëshme se Covid-19, kurse gjetja e
terapisë për këtë lloj pandemie mbetet sfida më e madhe në të ardhmen.
Prishtinë,
6 maj 2020