09:34 / E Premte, 06 Tetor 2017 / indeksADMonline

Panuçi: Besoj te triumfi ndaj Spanjës

Sot është ndeshja e shumëpritur mes Spanjës dhe Shqipërisë, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “RUSI 2018”. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin e Alicante në orën 20:45-së. Tekniku Panuçi shprehet se do të jetë një ndeshje mjaft ë vështirë, por thekson se Shqipëria do të bëjë të pamundurën për të bërë një paraqitje dinjitoze dhe të vendosë në vështirësi iberikët e jo të bëjë viktimën. Ai vazhdon më tej duke theksuar se skuadra duhet të përqendrohet gjatë gjithë lojës. “Pres që të bëjmë një ndeshje serioze, jo që të jemi viktimë. Kemi shumë respekt për Spanjën, sepse është një ekip i madh. Do të tentojmë të bëjmë më të mirën që ti vendosim në vështirësi. 20 vjet më parë luajta në këtë stadiumin me Realin.

Ndryshimi i vetëm është që në atë kohë fjeta më tepër përpara ndeshjes. Për mua më të rëndësishëm janë futbollistët, që ata të japin më të mirën. Nuk kam asnjë emocion të veçantë, por ndjej përgjegjësi që do të luajmë një ndeshje të rëndësishme. Do të provojmë të bëjmë gjëra serioze, të jemi të përqendruar për 95 minuta, sepse edhe nëse e ulim shpërqendrimin për një minutë, përballë një ekipi si Spanja mund të ndëshkohesh”, shprehet trajneri i kuqezinjve. Tekniku nuk kërkon justifikime për këtë ndeshje megjithë mungesat e disa lojtarëve të rëndësishëm si Mavraj, Kukeli e Roshi.

“Kemi tre lojtarë shumë të rëndësishëm të pezulluar, por kam futbollistë të tjerë cilësorë që mund ti zëvendësojnë. Ne do të tentojmë të marrim maksimumin e mundshëm. Këtë ndeshje e ndjek e gjithë bota. Nëse nuk ka angazhim maksimal në një duel kaq të madh, ndoshta më mirë të ndryshosh profesion. Do të provojmë të luajmë me kurajë, por kjo nuk varet vetëm nga ne. Spanja është një skuadër që nuk të lejon të luash, sepse ka shumë kualitet dhe gjithë kohën e mban topin.

Ne do të provojmë të kundërsulmojmë dhe luajmë me kurajo”, thekson trajneri italian. Çështja e referendumit në Katalonjë ka trazuar jo pak, ujërat edhe në skuadrën spanjolle me tifozët që i kanë dalë kundër Piques për shkak të deklaratave të tij. Sipas trajnerit tonë, kjo situatë nuk do të ndikojë në fushën e lojës. “Nuk më intereson të përfshihem në çështjet politike.

Nuk dua të hyj në jetën personale, sepse gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë. Pique ka personalitet, është një lojtar i nivelit shumë të lartë dhe di ti menaxhojë këto situata. Besoj që kjo nuk do ta shqetësojë. Ne shpresojmë që ndoshta Spanja të jetë ndikuar nga kjo situatë, por nuk e besoj të ndodhë vërtetë. Rezultat për Italinë? Dua që lojtarët e mi të kalojnë një mbrëmje të bukur dhe të paharrueshme.

Kjo mund të jetë një ndeshje historike për ekipin tonë. Nuk më intereson asgjë tjetër përveç asaj që bëjnë lojtarët të mi. Ky është futboll dhe gjithçka mund të ndodhë”, përfundon Panuçi. Ndërkohë që në konferencë ishte i pranishëm edhe kapiteni Ansi Agolli. Ai u shpreh se Spanja është skuadër e një niveli të lartë por në futboll mund të ndodhë gjithçka. “Luajmë më me shumë besim. Dihet që Spanja është një skuadër mjaft e mirë, por ky është futboll dhe asgjë nuk quhet e përfunduar”, thekson Agolli./Shekulli