13:15 / E Premte, 26 Tetor 2018 / indeksADMonline

Paradat ushtarake i japin zemër Luanit

E kaluara e familjes së tij dhe dëshira që të jetë gjithmonë në shërbim të vendit e shtynë Luan Haradinajn t’i bashkohet tre vite më parë Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Luan Haradinaj është gjenerata e tretë e Kadetëve të FSK-së.

Thotë se si fëmijë e pëlqente uniformen, kjo ndoshta se u rrit në mesin e atyre që bënë e dhanë shumë për lirinë e këtij vendi.

Luanit, i përtërinë emrin e axhës së tij, i cili vlerësohet të jetë njëri ndër brezat e parë që luftuan për çlirimin e Kosovës, e i cili dha jetën 21 vite më parë duke mbrojtur tokën mëmë.

“E kaluara e familjes time dhe e gjithë popullit të Kosovës, ka qenë motiv për mua që të jem pjesë e FSK-së. Si fëmijë gjithmonë kam dashur uniformen, dhe qysh atëherë asnjëherë nuk kam menduar se cilin profesion do ta zgjedh. Detyra që i kam vënë vetës, mua më bënë të ndihem krenar, sepse është nder dhe privilegj të jesh pjesë e Ushtrisë së Kosovës dhe t’i shërbesh vendit”, ka thënë ai në një bisedë për Indeksonline.

Jeta ushtarake thotë se i ka ndërruar shumë jetën që e bënte dikur, por thotë se kjo e bënë të ndihet mirë me faktin se është i gatshëm t’u del në ndihmë në të ardhmen gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Ka shumë gjëra që të bëjnë të ndihesh mirë në jetën Ushtarake, unë dua t’i veçoj trajnimet sfiduese me anë të cilave arrijmë të trajnohemi dhe zhvillohemi në aspektin profesional që t’i dalim në ndihmë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Adaptimi prej jetës civile në atë ushtarake në fillim nuk është i lehtë, mirëpo ato tejkalohen me kohën, e rëndësishme është që ta duash profesionin dhe të kesh ide të qarta se ku dëshiron të arrish. Në fillim dhe për mua nuk ka qenë e lehtë por në Qendrën për Studime Universitare kam gjetur një ngrohtësi familjare dhe kemi arritur të adaptohemi shpejt me jetën ushtarake dhe t’i arrijmë kriteret e kërkuara sipas plan programit të Qendrës për Studime Universitare”, ka shtuar tutje ai.

Paradat ushtarake thotë se i japin zemër për të vazhduar tutje, derisa duartrokitjet që merr gjatë kësaj kohe e emocionojnë tej mase kjo pasi vazhdon rrugën e nisur nga babai i tij dhe mijëra dëshmorë e luftëtarë tjerë.

“Dua të veçoj edhe momentet e ndryshe si në parade Ushtarake dhe përvjetorët e ndryshme ku ne marrim pjesë si Kadet, dhe pjesëmarrja e shumë njerëzve në këto parada me respektin që kanë për ne, na japin shumë emocione krenarie. Me gjitha këto unë ndjehem krenar dhe shumë i lumtur që jam pjesë e FSK-së, dhe poashtu vazhdoj rrugën e nisur nga babai im dhe mijëra dëshmor e luftëtarë që sakrifikuan jetët e tyre në mënyrë që ne të kemi lirinë dhe Ushtrinë tonë”, ka theksuar ai.

Lajmi se FSK shumë shpejt do të shndërrohet në Ushtri të Kosovës, Luanin e gëzoi tej mase kjo pasi që sipas tij, në këtë mënyrë u plotësua dëshira dhe amaneti i shumë luftëtarëve.

Ndërkohë që synimi i tij për të ardhmen që të mbarojë studimet në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së dhe nga aty të marrë njohuri maksimale në mënyrë që të jap kontributin si Oficer në FSK.

Haradinaj, poashtu bënë thirrje që të rinjtë e Kosovës të bëhen pjesë e FSK-së, pasi që sipas tij është mënyra më e mirë dhe më fisnike për t’i shërbyer vendit.

Sikurse ky “Luan”, janë edhe shumë luana tjerë, që duan të shërbejnë në të mirën e vendit, duke kontribuar për paqe dhe stabilitet./Indeksonline/