20:00 / E Martë, 27 Mars 2018 / indeksADMonline

Paradoksale, komuna dha dhjetëra mijëra euro për ashensorët, por mungojnë! (Dokument)

Komuna e Skenderajt vitin e kaluar e kishte parë të nevojshme pajisjen e objektit të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare me tre ashensor, një tender ky i realizuar në 100 %, siç figuron në  raportin financiar që i është publikuar Kuvendit Komunal.

Autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Skenderajt me 3 prill 2017 kishte përgatitur njoftimin për kontratë me numër prokurimi 643-17-1236-1-2-1, me titull “Furnizimi me ashensor për QKMF në Skenderaj”, në KRPP.

Vlera e parashikuar e kontratës ishte 55.000 mijë euro, për tre ashensor, shkruan Indeksonline.

Ndërkaq në Raportin Përfundimtar Financiar të realizimit të buxhetit komunal Janar-Dhjetor 2017, ky tender figuron si përfundimtar me 100% të punimeve të kryera dhe një kosto prej 35 mijë euro.

Por i gjithë paradoksi nuk ekziston vetëm tek vlera në kontratën e paraqitur, në fillim që ishte 55 000 euro, ndërsa realizimi i u krye me 35 000 euro, shuma të ndryshme këto nga njëra-tjetra.

Tre ashensorët që duhej ti shërbenin kësaj Qendre të Mjekësisë Familjare dhe personave të sëmurë, nuk ekzistojnë fare aty, ndërkaq komuna dha plot 35 000 euro për tre ashensorët që mungojnë.

Bile komuna me rastin e kryerjes së punimeve figuron se kishte bërë edhe pranimin e punës të realizuar në 100 për qind.

Ne vendet ku supozohej të ishin dyert e ashensorëve aty është ngritur një mur.

Zyrtarë të prokurimit në Komunën e Skenderajt nuk kanë kurrfarë shpjegimi për këtë fenomen.

Të kontaktuar nga Indeksonline, zyra e prokurimit kanë thënë se për këtë çështje duhet folur me zyrtarin Haxhi Bejta.

Ky i fundit i tha mediumit tonë se është suspenduar dhe se nuk ka çfarë të thotë për këtë çështje.

Ndonëse me 3 prill njoftimi për kontratë ishte paraqitur në KRPP, e njëjta gjë nuk kishte ndodhur me rastin e dhënies së kontratës bile një njoftim i tillë në vlerë prej 55 000 euro nuk figuron fare në KRPP. Madje as nuk dihet firma fituese se kush është në këtë rast.

I vetmi dokument që tregon është Raportin Përfundimtar Financiar i cili dokumenton se projekti i realizuar ka kushtuar 35 000 euro, ndërkaq tre ashensorët nuk janë aty ku duhej të ishin në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj. /Indeksonline/ (A.B)