20:29 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Paralajmërimi për takimin Haradinaj-Markoviç, pritet vetëm fotografi me shtrëngim duarsh!

Raporti i Komisionit për Demarkacion nuk solli ndonjë lëvizje sa i përket përfundimit të çështjes për shënjimin e vijës kufitare Kosovë-Mal i Zi. Madje, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Investime Strategjike sot ka vendosur që të shqyrtohet ky raport më 26 dhjetor, ku pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Në anën tjetër, ky i fundit është paralajmëruar  se do të takohet me homologun e tij nga vendi fqinj, Dusko Markoviç, në Prishtinë gjatë muajit të ardhshëm.

Por, duket se takimi nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat rreth epilogut të demarkacionit.

Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj ka thënë për “Indeksonline” se moszgjidhja e këtij problemi tregon paaftësinë e klasës politike dhe institucioneve kosovare për t’i gjetur zgjidhje një çështje që i ka bllokuar qytetarët tash e 3 vite.

“Zgjidhja duhet të gjendet në Kosovë. Mali i Zi e ka kryer pjesën e vet të punës. Qeveria dhe Kuvendi, në përgjithësi spektri politik në Kosovë, duhet t’i japin zgjidhje këtij problemi. Mosgjetja e një zgjidhjeje tregon për paaftësinë e klasës politike dhe të institucioneve kosovare për t’i dhënë rrugë një çështjeje që e ka bllokuar vendin dhe qytetarët tash tre vjet”, ka deklaruar ai.

Se takimi do të mbyllet pa asnjë zgjidhje, e thotë edhe analisti Bajrush Morina. Madje sipas tij, nga takimi do të ketë vetëm një fotografi me shtrëngim duarsh Markovic-Haradinaj dhe asgjë më shumë.

“Për Malin e Zi çështja e Demarkacionit është kapitull i mbyllur. Këtë qëndrim e kanë thënë disa herë zyrtarët malazez. Ata nuk kanë problem me liberalizimin as me integrimin evropian. Demarkacioni është punë e pa kryer e Kosovës. Ne jemi “peng” i Demarkacionit si ne lëvizjen e lirë ashtu edhe në proceset integruese. Krejt çka pres nga kjo vizitë është një përsëritje e qëndrimit të shtetit malazez: Demarkacioni është punë e kryer për Malin e Zi. A do ta thotë këtë deklaratë në gjuhën malazeze apo angleze, kjo është çështje e Ramush Haradinajt se cilën gjuhë e kupton ai më mirë. Pra nga vizita e kryeministrit malazes pres një fotografim të përbashkët me kr.Haradinaj asgjë më shumë”, ka thënë ai për “Indeksonline”.

Kujtojmë se Haradinaj sapo ka përfunduar një takim me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, në Bruksel, i cili u zhvillua nën udhëheqjen e Federica Mogherinit. Aty ishte diskutuar edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, por pa ndonjë pikë konkrete./Indeksonline/