Paralajmërohen banorët e Shipitullës: Mos investoni në pronat që do të shpronësohen (Foto)
Po sa merr drejtimin në rrugën “Afrim Krasniqi” për të hyrë në fshatin Shipitullë të Obiliqit, ajo çka bien në sy janë pemët dhe bunarë të hapur njëri pas tjetrit.
Banorët e kësaj zone pavarësisht që kanë vendim nga Qeveria për shpronësim të tokave, vazhdojnë t’i punojnë ato, duke mbjell me qindra pemë e duke hapur bunarë të panevojshëm.
E gjithë kjo po bëhet për shkak të synimit që të rrisin vlerën e tokës së kompensuar, shkruan Indeksonline.
Pavarësisht që toka kompensohet, mbjellja e pemëve po bëhet në mënyrë që të përfitojnë më shumë nga shteti kur të vije koha e kompensimit.
Mirëpo, sipas banorëve të atjeshme është ‘hakmarrje’ ndaj mospërmbushjes së kërkesave, si punësimi i të rinjve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Azem Mjeku, përfaqësues i banorëve, për Indeksonline ka thënë se pasuria e tyre po merret dhe ata mbesin nën mëshirën e KEK-ut, pluhurave dhe zhurmave.
“Ato që i kanë premtuar nuk i kanë përmbushur, duke filluar nga kryeministri e deri të kryetari. Kryeministri nuk i ka përmbushur kërkesat të cilat vet ai i ka thënë. Kërkesat tona kanë qenë si pikë e parë punësimi i qytetarëve, të rinjve të këtyre fshatrave Shipitullë e Hade. Pika tjetër ka qenë që të jenë të barabartë për kah shpronësimi në mënyrë që qytetarët të mos neglizhohen. Pra, që secili të jetë i barabartë, se kanë me u largu prej këtu me gjithë atë pjesa Mirena, Berbatovc dhe Krasniq janë larguar tërësisht, nuk ju ka mbet as shtëpi, as tokë, as kurrgjë. Ndërsa, pjesa jonë e mbetur, Mjekiq, neve na u merret pasuria, na mbesim veç me qit pyll edhe kjo rrugë përskaj. Neve nuk na kanë zhvendos si lagje komplet, vetëm pasurinë e kanë marr. Nesër vinë ekskavatorët këndej , na jem nën mëshirën e KEK-ut”, ka thënë ai.
E kjo zonë që po e shihni në fotografi, dikur nuk ka qenë shumë e banuar. Por, kur nisi procesi i shpronësimit, kjo hapësirë u mbush me shtëpi. Kjo për shkak të kompensimit që pastaj ju bëhej banorëve për tokën dhe shtëpinë.
“Ato shtëpia lart, janë lagje e re, lagje e Mjekiqve, Bërbatoveve, Krasniqve edhe e Mirneve. Ka pas banorë, jo të gjitha, por ka pasur pjesërisht”, ka theksuar ai.
I pyetur se përse në tokat që është marrë vendim me u shpronsu janë mbjell pemë e hapur shumë bunare, ai thotë se është shansi e fundit i qytetarëve që të përfitojnë.
Mjekiqi ka shtuar se arsyeja e punimeve në to është që të përfitojnë prej tyre duke ngritur nivelin e kompensimit të tokës, pasi sipas tij, atyre po u merret pasuria.
“Me fol realitetin dhe drejtësinë, kjo është pika dhe shansi i fundit i qytetarëve që edhe kjo troh tokë që ju ka mbet të përfitojnë diçka prej këtyre pronave, me ngritë sado pak nivelin e tokës. Për atë kanë mbjell. Nuk mundna me arsyetua, se ka pas plantacione a diçka tjetër, por për një interes i kanë mbjell, sepse është shansi i fundit që të bëjnë diçka, të përfitojnë prej këtij vendi. Si fshat neve toka bujqësore po na merret, po mbesim me vetëm me oborre dhe në mëshirën e KEK-ut. Prona kompensohet, toka si tokë, por aq sa e ka vlerën nuk kompensohet. Për këtë arsyeje, qytetarët janë munduar të ja ngrisin vlerën e tokës me pusa, me pemë e këto sene. Se shansi e fundit, se këtu më nuk jetë asgjë”, ka shtuar ai.
Ai thekson se në fshatin ku gjendet pjesa e Mjekiqve nuk do të jetë jeta si me herët për shkak të zhurmave të ekskavatorëve dhe pluhurit.
“Bile nashta hiq pa i pas rendet, duhet me u shpronësua, mu largu prej këtij vendi, për shkak të zhurmave e pluhurave”, thotë ai.
“Qetash mu mi marrin edhe tre hektarë, një ma kanë marrë edhe tre kanë me i marr. Me çka jesim na, jesim veç me qat oborr”, rrëfen tutje ai.
Sipas tij, premtimi për punësimin e të rinjve ende nuk është realizuar.
“Tokën po na marrin. Po bile nëse i kishin punësuar të rinjtë. Që gjashtë muaj na kanë thanë, po ende nuk kanë nisur. Herën e parë 30 kanë pas me i marr, e krejt 120 vet me u punësua. Po ja merr tokën e pasurinë e nuk po ju punësoj. Pse nuk po i përmbushin kërkesat, po ju gjuhen njerëzve të varfër. Si shtëpia e ndërtuar mirë, si ajo me ndërtim të dobët njëjtë është kompensua, 350 për metër” ka thënë ai.
Mirëpo, pritjet e banorëve se do të kompensohen për mbjelljet nuk do të realizohen. Kjo pasi në një përgjigje për Indeksonline, Inspektorati i MMPH-së ka bërë të ditur se asnjë investim i bërë në parcelat e shpronsuara nuk do të kompensohet.
Po ashtu, ata kanë theksuar se tashmë janë identifikuar parcelat ku janë të mbjella fidanet.
“Ju informojmë se Inspektorati i MMPH-së në bazë të kompetencave që ka, pas inspektimeve të përbashkëta në terren me inspektorët komunal të komunës së Obiliqit, ka mbajtë një takim për rastin në fjalë me përfaqësues të institucioneve Komunale të Komunës së Obilit, ku përfaqësuesit e Komunës së Obiliqit në bazë të përgjegjësive ligjore që kanë, morën për obligim që përveç identifikimit të parcelave ku janë të mbjella fidanet, të i njoftojnë të gjithë pronarët e parcelave se çdo investim i cili do të bëhet në ZIVE nuk do të vlerësohet për kompenzim me rastin e shpronësimit të atyre parcelave”, thuhet në përgjigjën e Divizionit për Komunikim Publik në MMPH.
Ndërsa, Skënder Bucolli nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun për Indeksonline ka thënë se deri tani KEK ka regjistruar mbi 130 familje të përfshira në procesin e zhvendosjes.
Bucolli e ka quajtur të kënaqshme ecurinë e këtij procesi, ani pse banorët kanë shumë ankesa.
“Sa i përket procesit të zhvendosjes në zonën prej 122 hek. Ku gjenden 248 pronarë me pasuri në 5 zona kadastrale – Sibovc, Palaj, Shipitullë, Lajthishtë dhe Hade, mundë të themi se falë bashkëpunimit në mes të KEK-ut, banorëve dhe komunës, kjo zonë është në fazën e regjistrimit dhe deri më tani KEK-u ka regjistruar mbi 130 familje të përfshirë në procesin e zhvendosjes dhe banorët janë të kënaqur me ecurinë e këtij procesi”, është deklaruar ai.
Ai ka shtuar se deri tani është arritur të zhvendosën pothuajse të gjithë banorët me përjashtim të katër personave. Dy për shkak se nuk e kanë të rregulluar çështjen e trashëgimisë, ndërsa dy të tjerë kanë paraqitë ankesë në shkallë të dytë.
“Për sa i përket procesit të zhvendosjes konform vendimit të MMPH-së nr. 65/15 , ju njoftojmë se ky proces në zonën 52 hektarë, nga gjithsejtë 255 banor të afektuar, në procesin e zhvendosjes me 251 banor kemi arrit marrëveshje kompensimi në zyrën noteriale në Obiliq dhe për të përmendurit në afatin e rregullt ligjor u është bërë kompensimi. Shpresojmë që edhe me katër banorët e fundit (dy nuk e kane të rregulluar çështjen trashëgimisë ndërsa dy të tjerë kanë paraqit ankesë ne shkallë te dytë) në këtë zonë të përfundojnë procedurat e nevojshme së shpejti”, ka thënë ai me tutje.
Gjatë procesit të shpronsimit të banorëve, ka patur raste të ndërtimit të shtëpive të reja me qëllim kompensimin më të lartë.
Drejtori i Drejtorisë për Inspeksion në Komunën e Obilqit, Burim Ismaili për Indeksonline ka thënë se vetëm një rast është zënë në fazën e murosjes së katit të parë, por që menjëherë janë marrë masa.
“Prej se jam emëruar unë Drejtor kemi bërë inspektime të rregullta këtë zonë gjë që nuk kemi lejuar të bëhen ndërtime të reja. Për pos një rasti të vetëm të cilin e kemi zënë fazën e murosjes së katit të parë për të cilin rast kemi filluar menjëherë procedurat për ndalim te punimeve dhe është nxjerr vendimi për rrënimin e këtij objekti, ku është bërë ekzekutimi i këtij vendimi dhe është rrënuar objekti me karakter shtëpi banimi”, është shprehur Ismaili.
Ndryshe, javën e kaluar banorët e Hades dhe Shipitullës kanë protestuar para Qeverisë për mos realizimin e premtimit të kryeministrit për punësimin e një anëtari të një familje në KEK.
Mirëpo, Qeveria në një përgjigje u deklarua se KEK menaxhon këtë proces dhe se premtimi i Haradinajt ka qenë tu jepet përparësi këtyre banorëve dhe jo punësimi i tyre për shkak se është jo ligjore.
Por, banorët të cilët protestuan theksuan se në KEK janë punësuar disa njerëz, por askush nuk është pjesë e banorëve të fshatrave Hade dhe Shipitullë./Indeksonline/L.Thaçi/