09:54 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Paralajmërohet Vulin, Policia e Kosovës do ta zbatojë ligjin

Ministrit serb të Mbrojtjes, Aleksandar Vulin i është ndaluar hyrja në Kosovë për të marrë pjesë në festën e Vidovdanit në Gazimestan.

Mirëpo, nëse Vulin tenton të hyjë në territorin e Kosovës pa leje, Policia do ta zbatojë ligjin.

Kështu ka paralajmëruar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli, shkruan Indeksonline.

Ai përmes një postimi në facebook ka thënë se secili provokim që mund të bëhet, pasojat do t’i bartë Beogradi.

“Secili provokim që mund të bëhet, pasojat do ti bartë Beogradi ngase provokime te tilla i bën qëllimshëm. Partnerët ndërkombëtarë janë të njoftuar për secilin veprim tonin. Përtej konspiracioneve qe rëndom prodhohen pastaj, është shumë e qartë se futja ilegale e kujtdo ne territorin e Kosovës, nënkupton zbatim te ligjit nga policia e Kosovës”, ka thënë Zyberaj.

Policia e Kosovës për festën religjioze ortodokse të Vidovdanit, e cila festohet sot, përmes hartimit të planit operativ, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për mbajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatueshmërinë e ligjit në vend, si dhe shtimin e masave të sigurisë për të garantuar rend, qetësi dhe siguri publike, para, gjatë dhe pas manifestimeve./Indeksonline/