10:45 / E Hënë, 28 Shtator 2020 / indeksADMonline

Parkimi nëntokësor në kryeqytet, nisin punimet te Filologjiku

Gati një vit pasi është nënshkruar kontrata e partneritetit publiko-privat për ndërtimin e parkimit nëntokësor me mbi 700 vendparkime te Fakulteti i Filologjisë në Prishtinë, sot në mëngjes kanë nisur punimet, raporton IndeksOnline.

Ky vendparkim, që kap vlerën e mbi 10 milionë eurove investime, është thënë nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, se do të zgjas nga 18-24 muaj.

Por pse një gjë e tillë është zvarritur, Ahmeti në një përgjigje për IndeksOnlinen, ka sqaruar se këtë javë pritet të ketë diçka konkrete në realizimin e këtij projekti.

Ai, ka bërë të ditur për IndeksOnlinen se tani kanë nisur përgatitja e lokacionit.

“Më duket se këtë javë rregullohet çështja e lejës. Kanë filluar përgatitjet e lokacionit. Këtë javë fillon edhe rrethimi i vendpunishtes dhe punimet”, tha Ahmeti për IndeksOnline.

Ndërtimi i këtij vendparkimi ishte edhe një nga 100 premtimet e kryetarit të Prishtinës.

Kontrata për këtë projekt është nënshkruar, më 30 tetor të vitit 2019, midis komunës dhe konsorciumit italiano-kosovar “Jaha & Pessina”.

Ndryshe, Prishtina thuajse gjatë tërë kohës është e mbingarkuar nga automjetet në komunikacion dhe ndërtimi i një vendparkimi të këtyre përmasave është parë si mundësi e mirë për zhbllokimin e trafikut të dendur./IndeksOnline/