14:58 / E Enjte, 24 Tetor 2019 / indeksADMonline

Parlamenti Evropian miraton rezolutë: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Pas debatit që zgjati deri në orët e vona të së mërkurës, Parlamenti Evropian ka miratuar sot rezolutën për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

412 eurodeputetë nga 578 të pranishëm në seancë votuan në favor të rezolutës ku kërkohet hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Ndër të tjera, në rezolutë, nënvizohet se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat. Parlamenti Europian i bën thirrje Këshillit Evropian, të ndalojë frenimin e perspektivës së negociatave të pranimit dhe të kërkojë një propozim të Komisionit për një partneritet të ri me këto vende; po kështu të monitorojë përdorimin e fondeve në Maqedoninë e Veriut dhe të sigurojë një raport të hollësishëm në Parlament; Udhëzon presidentin e tij që t’ua përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit, qeverive e parlamenteve të shteteve anëtare dhe qeverive e parlamenteve të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë fjalës së saj, ministrja finlandeze e Çështjeve Evropiane, Tytti Tuppuraine, shprehu zhgënjim për vendimin e KE-së, por shtoi se do të bëhen përpjekjet për një vendim tjetër.