10:05 / E Enjte, 29 Mars 2018 / indeksADMonline

Pas arrestimit, Gjuriq deklarohet sërish

Dy ditë pas arrestimit që iu bë në veri të Mitrovicës, drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriq është deklaruar sërish.

Këtë herë ai ka bërë të ditur se Beogradi mbështet konkluzionet e serbëve nga Kosova dhe qëllimin e tyre për të filluar formimin e komunave me shumicë serbe, e cila sipas tij është e drejtë e tyre në bazë të marrëveshjes së Brukselit, shkruan Indeksonline.

Ai tha poashtu se pret që në vend të kërcënimeve, të cilat nuk sjellin asgjë të mirë, përfaqësuesit e Kosovës do t’u mundësojnë serbëve të fillojnë punën për krijimin dhe hartimin e statuteve të komunave me shumicë serbe në tre javët e ardhshme.

Ndryshe ditë më parë Lista Serbe ka deklaruar largimin nga Qeveria e Kosovës si dhe mundësinë e formimit të Asociacionit vetëm, edhe atë me 20 prill të këtij viti./Indeksonline/