17:32 / E Enjte, 12 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Pas deklaratës skandaloze të Vuçiqit, Albena Reshitaj i bën kërkesë publike Edi Ramës

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, ka bërë një kërkesë publike për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kërkesa vjen, pasi që javën e kaluar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë skandaloze, ku mohoi masakrën e Reçakut, madje duke e konsideruar shpikje, shkruan Indeksonline.

Reshitaj në kërkesën e saj, thotë për Edi Ramën që të anulojë takimin e tij dhe të Vuçiqit më 21 dhjetor në Durrës.

Postimi i plotë:

Kërkesë publike, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama!

Duke kujtuar se 20 vite më parë, nën petkun e flamurit Shqiptar, pikërisht nën petkun e flamurit që ju përfaqësoni si Kryeministër i shtetit Shqiptar, u varrosën shumë fëmijë, pleqë, gra e burra të pafajshëm, pas masakrës që cilësohet si njëra ndër ngjarjet më të tmerrshme që ka ndodhur në Ballkan.

Para një jave, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë skandaloze, ku mohoi masakrën e Reçakut, madje duke e konsideruar shpikje ?!

Pikë së pari, si një bashkëkombase e Juaja, por edhe si një Deputete e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës, kërkoj nga Ju, që së paku në bazë të përgjegjësisë morale, të anuloni takimin Tuaj të paraparë për 21 Dhjetor në Durrës, me njeriun që në vend se të kërkoj falje, ai vazhdon t’i mohoj krimet e pushtetit të atëhershëm serb, pjesë e të cilit ishte edhe vet si ministër.

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Ju nuk duhet të uleni e të flisni sërish me të, deri sa ai të reflektoi për deklaratën e dhënë. Kjo nuk është fyerje vetëm për familjarët e viktimave, apo vetëm për shtetin e Kosovës, por është fyerje e rëndë ndaj të gjithë shqiptarëve !/Indeksonline/