10:20 / E Premte, 23 Prill 2021 / OSH

Pas Hulumtimit të Indeksonline, Prokuroria Themelore vazhdon hetimet për tenderin e ushqimit në FSK, mirëpo ato zvarriten…

Me 9 mars të vitit të kaluar (2020), Indeksonline kishte bërë një hulumtim të detajuar rreth tenderit 8.4 milionë euro për ushqim në FSK.

Gjatë këtij hulumtimi janë evidentuar shkelje flagrante që kishte bërë OSHP-ja dhe ajo që është më kryesorja ky tender i ishte dhënë kompanisë “Beni Dona” me çmim prej 1.2 milionë euro më shtrenjt se kompania që e kishte fituar për tri herë me radhë nga ana e Autoritetit Kontraktues (Ministia e Mbrojtjes).

Kompania “Beni Dona” këtë tender e kishte fituar kundërligjshëm ku përveç çmimit më të shtrenjt në dosjen e tenderit kishte futur çertifikata të falsifikuara për ISO-standarde të kompanisë gjermane “Royal Cert”.

Menjëherë pas publikimit të këtij hulumtimi, institucionet shtetërore kishin filluar hetimet për keqpërdorimet shumë milionëshe që ishin bërë në këtë tender.

Prokuroria Themelore mbyllë sytë para fakteve ajo pushon hetimet pa ndonjë rezultat…

Sipas burimeve të Indeksonline, prokurore e këtij rasti ishte caktuar znj. Merrushe Llugiqi. Ajo për një kohë të gjatë i kishte zvarritur hetimet dhe veprimet konkrete dhe për çudi pas disa muajsh e kishte mbyllur rastin pa ndonjë aktakuzë.

Prokuroria Themelore detyrohet ta riinicojë rastin, pas presioneve ndërkombëtare.

Mbylljen dhe riinicimin e rastit e ka konfirmuar Prokuroria Themelore pas pyetjeve të dërguar nga redaksia e Indeksonline në muajin tetor të vitit të kaluar.

“Të nderuar, duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka riniciuar si rast dhe se janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje” Thuhet në përgjigjien e zëdhënses së Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj në muajin tetor të vitit të kaluar.

Sipas burimeve tona Prokuroria Themelore i kishe pushuar hetimet per rastin e FSK-së edhe pse faktet ishin evidente ku në këtë tender ishin keqpërdorur miliona euro përmes dokumenteve të falsifikuara.
Një burim brenda Prokurorisë Themelore thotë se rasti i FSK-së ka qenë nën “llupën” e ndërkombëtarëve dhe ata kanë reaguar menjëherë kur kanë kuptuar se kjo lëndë nuk po hetohet më.

Gjithashtu, Indeksonline mëson se kompania Gjermane “Royal Cert” së cilës i ishin falsifikuar dokumentet nga “Beni Dona” e ka njoftuar edhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore, z. Kujtim Munishin.
Të gjendur para këtyre presioneve Prokuroria Themelore detyrohet të hapë përsëri rastin mirëpo edhe pasi kanë rifilluar hetimet për tenderin 8.4 milionësh në FSK ato përsëri po zvarriten dhe kanë kaluar më shumë se 7 muaj që nga riinicimi i rastit ende nuk ka rezultate konkrete.

Indeksonline në fillim të këtij muaji përsëri i ka dërguar pyetje Prokurorisë Themelore për të mësuar se deri ku kanë shkuar hetimet, a është ndërruar prokurorja e rastit, pse herën e parë është mbyllur rasti, pse është riiniciuar etj. Mirëpo zëdhënsja e Prokurorisë Themelore përveç se ka konfirmuar vazhdimin e hetimeve nuk ka dhënë detaje të tjera.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet rreth këtij rasti. Andaj në këtë fazë kur ende nuk janë përmbyllur hetimet për shkak të ruajtjes të integritetit të kësaj procedure nuk mund të ndajmë me ju informata shtesë” thuhet në përgjigjien e Prokurorisë Themelore.

Mbetet të shihet nësë do të ketë rezultate konkrete për tenderin e ushqimit në FSK ku përmes OSHP-së i është dhënë kompanisë “Beni Dona” me një çmim prej hiq më pak se 1.2 milionë euro më shtrenjt e ku në dosjen e tenderit kjo kompani kishte çertifikata të falsifikuara.

Kujtojmë se jo më larg se javën e kaluar policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në Prizren për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim e mashtrim në prokurim publik, pasi kishin fituar tender 1.4 milionë euro nga Komuna e Prizrenit përmes dokumenteve të falsifikuara./Jeton Sopa/Indeksonline/