12:35 / E Martë, 23 Mars 2021 / B O

Pas presidencës, Trump është “mallkimi” më i keq për bizneset e tij

Posti i presidentit i ka kushtuar shumë Donald Trumpit. Regjistrimet e Komisionit federal të zgjedhjeve tregojnë se Trumpi drejtoi miliona dollarë për të paguar organizatat për shpenzimet e lidhura me dy fushatat e tij në vitin 2016 dhe 2020. Vlera e tij neto ka rënë poshtë 700 milionë dollarëve që kur ai u bë president, sipas një raporti të “Bloomberg News”-it.

Sipas “Bloomberg”-ut, të ardhurat janë ulur në çdo cep të perandorisë Trump dhe shumica e pasurive të tij kanë humbur vlerën. Edhe flota e tij e avionëve është zvogëluar në vlerë nga “shtatë me vlerë të paktën 59 milionë dollarë më 2015 në pesë me vlerë të paktën 6.5 milionë dollarë më 2020”, sipas “Bloomberg”-ut.

Sipas “Bloomberg”-ut, pasuria e Trumpit është shkatërruar gjithashtu nga pandemia e Covid-19. Ndërkaq, sulmi vdekjeprurës i 6 janarit në Capitol të SHBA, gjithashtu i ka kushtuar markës “Trump” pasi shumë kompani kanë anuluar kontratat fitimprurëse me entitetet “Trump”.

CNN raportoi se “Boeing 757” i Trumpit, i stampuar me emrin e tij, është ulur në New York, në veri të Manhatanit dhe ka nevojë për riparime potencialisht shumë të kushtueshme. Ndërkohë, zëdhënësi politik i Trumpit Jason Miller thotë se ish-presidenti do të ketë platformën e tij të mediave sociale . Kjo do t’i jepte Trumpit, i cili u pezullua përgjithmonë nga Twitteri dhe Facebooku pas sulmit të 6 janarit në Kapitol nga mbështetësit e tij, qasje në ndjekësit që regjistrohen dhe, me sa duket, një mënyrë për të gjeneruar të ardhura.

Matja e pasurisë së Trumpit ka qenë gjithmonë një gjë e ndërlikuar. Fshehur brenda një labirinti të ndërmarrjeve private, pasuritë dhe detyrimet e tij nuk raportohen publikisht të plota megjithatë diçka është e sigurt, nëse emri Trump ishte dikur “aseti” më me vlerë i organizatës së tij të biznesit, tani mund të jetë “mallkimi” më i keq i saj.