12:22 / E Hënë, 15 Gusht 2022 / MSH

Pas rasteve të plagjiaturës në UP, Nagavci merr vendimin e rëndësishëm (DOKUMENT)

Plagjiatura në Universitetin e Prishtinës është një nga problemet më shqetësuese në arsimin universitar.

Lidhur me këtë, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka marrë një vendim i cili obligon të gjitha institucionet e arsimit të lartë që, me deklarimin e stafit akademik në platformën e akreditimit, bashkë me të të bëjnë edhe ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe publikimeve.

“Ky vendim obligon zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë se “institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”” ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje, Nagavci ka thënë se pret që rastet e plagjiaturës të trajtohen me seriozitet nga Universiteti i Prishtinës.

“Si ministre e Arsimit pres që rastet e plagjiaturës të raportuara deri tash të trajtohen me seriozitet nga organet e Universitetit të Prishtinës.”

Ky është postimi i saj i plotë:

Stafi akademik duhet të jenë persona me integritet e kredibilitet të lartë profesional e personal ndërsa institucionet e arsimit të lartë duhet të sigurojnë respektim të standardeve të ndershmërisë akademike brenda institucionit.

Ndonëse plagjiatura konsiderohet si formë e rëndë e shkeljes së etikës akademike, fatkeqësisht raste të tilla u raportuan së fundi në Universitetin e Prishtinës.

Në linjë me këtë, kam nënshkruar sot vendimin për pajtueshmërinë e punimeve dhe publikimeve shkencore me etikën në hulumtim të stafit akademik të institucioneve të arsimit të lartë (IAL).

Me këtë vendim, obligohen të gjitha IAL-të në Republikën e Kosovës që me rastin e deklarimit të stafit akademik në platformën e-akreditimi të AKA-së të bëjnë ngarkimin e disertacionit të doktoratës dhe të publikimeve në revistat e indeksuara, në platformat e përcaktuara me Manualin e AKA-së për akreditim.

Ky vendim obligon zbatimin e përpiktë të standardeve evropiane të cilësisë të cilat decidivisht thonë se “institucionet (e arsimit të lartë) kanë politika dhe procese që garantojnë dhe përmirësojnë cilësinë e aktiviteteve të tyre, si hulumtimi dhe qeverisja”.

Si ministre e Arsimit pres që rastet e plagjiaturës të raportuara deri tash të trajtohen me seriozitet nga organet e Universitetit të Prishtinës.

Ngritja e cilësisë në arsimin e lartë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë dhe MAShTI-it për çka jemi duke u angazhuar shumë që nga fillimi i mandatit.