12:32 / E Martë, 03 Mars 2020 / indeksADMonline

Pas shtatë muajve, shuhen të gjitha zjarret në rajonin australian

Zjarrfikësit e Australisë kishin arsye për festë të hënën pasi njoftuan se nuk ka më vatra aktive të zjarrit në rajonin New South Wales, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.

Lajmin e mirë për shuarjen e zjarreve të tmerrshme në natyrë e dhanë zjarrfikësit e këtij rajoni përmes rrjeteve sociale. Zhvillimi pozitiv u shënua pas 240 ditëve në luftë me zjarret.

Gjatë sezonit të zjarreve në Australi, 33 persona janë vrarë, më shumë se dy mijë shtëpi janë shkatërruar dhe së paku një miliardë kafshë janë zhdukur.

Zjarret e shkatërruan një sipërfaqe të barabartë me Korenë Jugore dhe zjarrfikësit kishin vështirësi të shumta gjatë luftës me flakët e mëdha, shkruan “Daily Mail”.

Rajoni më i goditur ishte New South Wales, ku 25 persona vdiqën duke u përpjekur t’i mbrojnë shtëpitë e tyre ose duke u munduar t’i shuajnë zjarret.

Shumë zjarrfikës vullnetarë u detyruan t’i linin vendet e rregullta të punës për të ofruar ndihmë. Nëntë zjarrfikës u vranë, tre prej tyre nga Shtetet e Bashkuara.