23:45 / E Premte, 15 Prill 2022 / OSH

Pas sulmit të policëve në veri, nga Presidenca thonë se u kërcënuan edhe deputetët e Kosovës

Në të njëjtën ditë që u sulmua Policia e Kosovës në Zubin Potok, struktura të organizuara kriminale, kanë kërcënuar deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Kështu të paktën ka deklaruar këshilltari për media në Presidencën e Kosovës, Bekim Kupina, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’.

“Të njëjtën ditë kur sulmohet Policia e Kosovës në veri, struktura të organizuara kriminale, të cilat ndodhen në Listën e Zezë të SHBA-ve, nëpërmjet satelitëve të tyre përpiqen të shantazhojnë, frikësojnë dhe kërcënojnë deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke nxitur destabilizim nëpërmjet dezinformimit”, shkroi ai në postimin e tij.

“Këta eksponentë të strukturave kriminale po përpiqen të shkaktojnë presion edhe ndaj liderëve institucionalë me qëllim të destabilizimit të vendit dhe krijimit të paqëndrueshmërisë politike. Dezinformimi dhe destabilizimi janë dy objektiva të Serbisë të mbështetur nga Rusia ndaj shtetit të Kosovës”, potencoi më tej Kupina.