16:22 / E Diele, 01 Prill 2018 / indeksADMonline

Pasi kërcënoi Haradinajn, Erdogan e quan terrorist kryeministrin e një vendi tjetër

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e ka quajtur “terrorist” kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanjahu, një ditë pasi kërcënoi kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn, se do të jepte përgjegjësi për kundërshtimin e arrestimeve të gjashtë shtetasve turq në Kosovë.

Erdoğan ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se “ushtarët turq në Afrin kanë përndjekur të shtypurit”.

“Netanyahu, ju jeni shumë i dobët, jeni shumë i çuditshëm. Kujdesuni për veten tuaj një herë. Ne merremi me terroristët, por qëllimi yt nuk janë terroristët. Sepse ti je një shtet i terrorit”, tha presidenti turk, gjatë një fjalimi të mbajtur në kongresin e AK Partisë në qytetin Adana të Turqisë.

“Ju nuk keni njeri që t’ju dojë në një mënyrë të drejtë. Është shumë e qartë përgjigja që more nga Kombet e Bashkuara në lidhje me hapin që ndërmorët për Kudsin. Gjithashtu mos u mburr se ‘unë kam armë bërthamore’. Sepse vjen një ditë që as ato armë bërthamore nuk punojnë”, ka shtuar më tej Erdoğan.

Presidenti i Turqisë ka theksuar dje se do t’i ndjekin anëtarët e FETO-s kudo që të ndodhen dhe është shprehur se “Shërbimi Inteligjent Turk (MIT) i paketoi dhe solli në vend 6 prej anëtarëve të FETO-s nga Kosova. Gjithashtu edhe ai në Pensilvani, do të qëndrojë në arrati deri në një kohë, dhe këtu do të vijë”.

“Ata që shqetësohen nga valëvitja e flamurit tonë në rajonet që ne i kemi pastruar nga terrorizmi, as që flasin për leckat e organizatës që valëviteshin më parë në po të njëjta territore. Ata nuk flasin për këtë sepse problemi i tyre është Turqia, nga kjo kanë dhimbje”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan pasi ka theksuar se Turqia nuk është dorëzuar përpara asnjë grupi vrasës mercenarë, ka deklaruar se “Në të njëjtën kohë Turqia nuk do të lejojë që miqtë, të afërmit e saj të mbyten në një situatë të tillë. Për këtë arsye ne nuk do të ndalemi deri në eliminimin edhe të terroristit të fundit në rajon”.