15:13 / E Mërkurë, 07 Dhjetor 2022 / C E

Pasi u la në bankën rezervë, Ronaldo mungon në stërvitjen e Portugalisë

Cristiano Ronaldo nuk ka stërvitur me rezervistët e Portugalisë sot dhe ka insistuar që t’i bashkohet titullarëve për një seancë në fitnes, bëjnë të ditur mediat spanjolle.

37 vjeçari nuk ishte titullarë në fitoren 6:1 të kombëtares së tij kundër Zvicrës në kuadër të fazës eliminatore të Kampionatit Botëror “Katar 2022”.

Zëvendësuesi i tij, Goncalo Ramos, shënoi hat-trick për ta ndihmuar Portugalinë që të arrinte çerekfinalen e Kupës së Botës, kështu duke e lënë Ronaldon në hije.

Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos e pranoi javën e kaluar se ishte i nevrikosur me Ronaldon për gjestin që e bëri ai pasi u zëvendësua gjatë fitores së Portugalisë kundër Koresë së Jugut.

Sipas “Marca”, ish-sulmuesi i Manchester United po vazhdon të krijojë probleme në Katar, ku sot nuk ishte prezent në stërvitje me rezervistët e Portugalisë.

Bëhet e ditur se Ronaldo zgjodhi seancën në fitnes me lojtarët titullarë, pavarësisht se luajti më pak se 20 minuta kundër Zvicrës si zëvendësues.