17:01 / E Shtunë, 19 Janar 2019 / indeksADMonline

Pato shumë i mirë apo liga kineze shumë e dobët?

Alexandre Pato u konsiderua si fenomeni i futbollit në vitin 2007, aq sa zgjoi interesin e Milanit dhe e bleu për 24 milionë euro nga Internacional në Brazil, asokohe vetëm 17 vjeç. Sulmuesi brazilian e nisi mirë karrierën edhe në Itali, në sezonin e tij të parë shënoi 9 gola, ndërsa në të dytin 18 të tillë.

Më pas erdhi rënia e tij në fushë falë dëmtimeve të shpeshta dhe shpërqendrimi jashtë fushe bënë që talenti i tij të tretej dalëngadalë. Në vitin 2013 ai u rikthye te Corinthias në Brazil, e më pas te Sao Paolo. Në vitin 2015 u kthye në Evropë, te Chelsea këtë herë, e më pas te Villarreal, por sërish dështoi të tregojë vlerat e tij dhe u largua drejt Kinës, aty ku i erdhi një ofertë e majme nga Tianjin.

Tashmë 29-vjeç dhe nuk luan në kombëtaren e “Selecao” edhe pse u bë pjesë e saj që në vitin 2008, kur ishte 18 vjeç. Ai numëron 27 ndeshje me fanellën e Brazilit dhe ka shënuar 11 gola, ndërsa hera e fundit që luajti në kombëtare ishte në vitin 2013.

Pato ka kaluar dy sezone në Kinë, dhe në 60 ndeshje ka arritur të shënojë 36 gola. Për të u ngarkua edhe një video në Youtube me titullin: “Alexandre Pato është shumë i mirë për të luajtur në kampionatin kinez.”, video në fjalë ka shkuar mbi 2 milionë shikime.