08:23 / E Enjte, 03 Maj 2018 / indeksADMonline

Pavarësia financiare i ndihmon fjalës së lirë

Gjashtëdhjetepesë gazetarë janë vrarë derisa kanë qenë duke kryer punën e tyre më 2017, ka bërë të ditur raporti i fundit i Reporterëve pa Kufij. Ky njëherësh ka qenë detaji më i zymtë i raportit, i cili më 3 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit vë në pah kohë të vështira për mediet.

Këtë të hënë, nëntë gazetarë kanë qenë në mesin e të paktën 25 personave të vrarë në dy sulme me bomba në Afganistan.

Në një artikull të gazetës Wall Street Journal theksohet se mënyra se si mund të ndihmohen gazetarët në gjithë botën është përmes zgjerimit të lirisë ekonomike, pasi ajo konsiderohet e domosdoshme për demokracinë.

Aty thuhet se liria ekonomike është tejet e nevojshme për lirinë e shtypit, pasi në kohërat moderne nuk ka pasur kurrë shoqëri demokratike e cila ka respektuar të drejtat e individëve pa të paktën minimumin e lirisë ekonomike.

Sa më i lirë që është një shtet në aspektin ekonomik dhe sa më shumë që jep hapësirë për subjekte tjera në treg, aq më të mëdha janë mundësitë që mediet të jenë të lira.

Rasti i Evropës Perëndimore dhe Amerikës Veriore, tregon se tregjet e lira janë të lidhura me liri në media.

Mirëpo Turqia përbën rast tjetër.

Ditë më parë, agjencia e lajmeve AFP, në një shkrim për gjendjen e medieve në këtë vend, shkruan se e përditshmja Cumhuriyet, e themeluar gati një vit pas krijimit të Turqisë moderne, përbën një nga bastionet e fundit për liri të medieve.

Cumhuriyet, e cila do të thotë “Republikë”, ka krijuar një linjë të ashpër kundër Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ka nxitur përplasje të gazetës me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Në muajin prill shteti turk ka dënuar 13 gazetarë të kësaj gazete, duke u dhënë dënime të shumëfishta për “ndihmë dhe nxitje të organizatave terroriste pa qenë anëtarë”.

Ata janë akuzuar për lidhje me militantët kurdë dhe klerikun fetar, Fethullah Gulen, i cili fajësohet për tentimet e dështuara për grushtshtet në korrik të vitit 2016.

Mirëpo duket se mediet e reja përbëjnë një tjetër sfidë për fjalën e lirë dhe të vërtetën.

Në një tjetër artikull të Wall Street Journal përmendet deklarata e udhëheqësit të Facebook-ut, Mark Zuckerberg për siç ka thënë ai vënien në funksion të inteligjencës artificiale me qëllim të identifikimit dhe zhdukjes së “gjuhës së urrejtjes”.

Sidoqoftë ai ka pasur vështirësi në përcaktimin e qartë të termit.

Edhe ai ka pranuar vitin e kaluar se standardet e fjalës së pranueshme janë shumë subjektive.

“Komuniteti ynë përfshin shumë shtete dhe kultura andaj normat janë të ndryshme për secilin rajon”, duke bërë standardet universale “më pak të realizueshme”.

Së fundmi, agjencia e lajmeve, Reuters ka raportuar se gjigantët teknologjikë, Facebook dhe Google duhet të përshpejtojnë përpjekjet e tyre për të luftuar shpërndarjen e lajmeve të rreme në gjashtë muajt e ardhshëm apo do të përballen me rregullore të reja nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian do të hartojë deri në muajin korrik një kod të ri të Praktikave të BE-së mbi Dezinformimin, me qëllim të parandalimit të shpërndarjes së lajmeve të rreme.

“Këto platforma online kanë dështuar deri më tash për të vepruar në mënyrë proporcionale, në sfidën që paraqet dezinformimi dhe përdorimi manipulues i platformave, ka njoftuar ky Komision në strategjinë për luftimin e lajmeve të rreme.

Reporterët pa Kufij e kanë listuar këtë vit Kosovën në vendin 78-të, apo katër vende më lartë sesa vitin e kaluar sa i përket lirisë së shtypit.

Në raportin e ri është përmendur se ndikimi politik dhe mungesa e sigurisë së gazetarëve kanë ndikuar që Kosova të jetë në mesin e vendeve me probleme.