10:48 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

PDK jep sinjale për tërheqjen e nënshkrimeve për Specialen, por jo edhe partneri i koalicionit!

Sinjalet për tërheqjen e nënshkrimeve për shfuqizimin e Ligjeve për Gjykatën Speciale mund të ndodhë shumë shpejt nga iniciuesi i saj, Partia Demokratike të Kosovës. Mirëpo, njëjtë nuk do të vepron edhe partneri i koalicionit, Nisma për Kosovën.

Deputeti i këtij subjekti, Haxhi Shala thotë se nuk e kanë ndërmend ta bëjnë një gjë të tillë pasi, sipas tij, Nisma që nga fillimi ka qenë kundër Speciales.

“Ne edhe tash nuk kemi bërë asgjë përves asaj që e kemi thënë më herët, në kohën e formimit të kësaj gjykate dhe jemi në linjat e tona si Nismë për Kosovën dhe çdo herë kemi qenë që nga themelimi i saj, kundër saj, edhe tash jemi kundër, pa marr parasysh se dikush ndoshta mund t’i heqë nënshkrimet, ne prapëseprapë i kemi qëndrimet që i kemi pasur në themelimin e Gjykatës Speciale”, tha Shala.

Ai ka treguar se brenda partisë së tyre nuk është diskutuar për tërheqjen e nënshkrimeve, por vetëm për dhënien e tyre.

“Ne nuk e kemi diskutuar tërheqjen e nënshkrimeve. Krejt çka kemi diskutu ka qenë dhënia e nënshkrimeve e jo tërheqjen e tyre, sepse ne s’kemi bërë asgjë më tepër se atë që e kemi thënë në themelim të saj”, u shpreh Shala.

Kujtojmë se me 22 dhjetor u mblodhën 43 nënshkrime nga koalicioni qeverisës për shfuqizimin e kësaj gjykate, e cila nxiti reagime të mëdha nga ndërkombëtarët./Indeksonline/