09:54 / E Martë, 31 Korrik 2018 / indeksADMonline

PDK kërkon shkarkimin e zyrtarit të LDK-së, pasi ofendoi Adem Demaçin

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë e ka quajtur të papranueshme deklaratën e zyrtarit të LDK-së, njëherësh nënkryetarit të komunës, Besim Hoti, rreth fyrjeve ndaj veprimtarit të ndjerë, Adem Demaçi.

Kësisoj, PDK-ja ka kërkuar nga kryetari i komunës, Zenun Elezaj që ta shkarkojë sa më parë Hotin nga posti i nënkryetarit.

“Besim Hoti, në deklaratën e tij publike e quan Adem Demaçin, monstrum dhe përçarës! Deklaratë kjo shumë indinjuese për qytetarët e Klinës, Kosovës dhe gjithë shqiptarët”, thuhet ndër të tjera, transmeton Indeksonline

Postimi i plotë:

Reagim i Degës së PDK-së në Klinë lidhur me deklaratën fyese të sekretarit të Degës së LDK-së në Klinë dhe nënkryetarit të Komunës së Klinës, Besim Hoti, për Heroin e Kosovës, Adem Demaçin, në ditën e varrimit të tij.
Në ditën e varrimit të “Heroit të Kosovës” (urdhri “Hero I Kosovës” 2010) Adem Demaçit, kur Kosova po mbante zi për vdekjen e tij, ish kandidati për kryetar të Komunës nga radhët e LDK-së, sekretari i degës së LDK-së në Klinë dhe aktualisht nënkryetar i Komunës së Klinës, Besim Hoti, del publikisht me një deklaratë fyese, nënçmuese dhe shumë diletante për nderin e kombit, fituesin e çmimit “Saharov” për liri të mendimit, njeriun që kombit shqiptar i dha 28 vite të lirisë së tij.
Ai, pra Besim Hoti, në deklaratën e tij publike e quan Adem Demaçin, monstrum dhe përçarës! Deklaratë kjo shumë indinjuese për qytetarët e Klinës, Kosovës dhe gjithë shqiptarët.
Dega e PDK-së në Klinë nuk do të reagonte sikur Besim Hoti të mos barte pozitën e nënkryetarit të Komunës, pasi që do ta konsideronte si deklaratë në lajthitje e sipër, naive dhe pa pasoja. Por z. Hoti duke qenë numri dy në udhëheqjen e Komunës së Klinës ka përgjegjësi të lartë publike. Nisur nga kjo situatë e krijuar, dega e PDK-së në Klinë kërkon nga Dega e LDK-së në Klinë që të distancohet publikisht nga deklarata e sekretarit të Degës së tyre, Besim Hotit si dhe kërkon nga kryetari i Komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj, që të bëjë shkarkimin e Besim Hotit nga pozita e nënkryetarit të Komunës.